“Coli në hetim për 3 vrasje”
Fatos Mahmutaj
Adriatik Coli, i penduari i bandës së Durrësit merret në përgjegjësi penale për tre vrasje të kryera shumë vite më parë, jo në kuadrin e bandës së Durrësit dhe që nuk është hetuar më parë për to. Shkak për nisjen e hetimit në ngarkim të tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë bërë dëshmitë që ai vetë ka dhënë në gjykatë ku ka pranuar se ka kryer vrasjet e Ali Kërtushës, Dorjan Semës dhe Ledion Kecit. Deklarimet për këto vrasje Coli i bëri gjatë seancës me dyer të mbyllura më 9 tetor të këtij viti duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve mbrojtës të të pandehurve të tjerë. Pas kësaj avokatët i kërkuan prokurorisë nisjen e hetimeve për Colin, ndërkohë nuk kishin marrë përgjigje deri tre ditë më parë, kur përfaqësuesit e akuzës njoftuan avokatët mbrojtjes të bandës së Durrësit se kishin nisur hetimet ndaj Colit, për veprën penale të vrasjes dhe për të provuar këtë u vonë në dispozicion mbrojtësve fotokopje të regjistrit të veprave penale. Me këtë dokument vërtetohej fakti se më datë 10 tetor, një ditë pas deklarimeve të Colit, prokuroria kishte nisur procedimin penal për të dhe se tashmë çështja në ngarkim të tij ndodhet në fazën e hetimeve. Ndërkohë për arsye të sekretit hetimor nuk janë publikuar të dhëna të tjera rreth kësaj çështjeje. Burime nga procesi kundër anëtarëve të bandës së Durrësit, pohojnë se deklarimet e Colit për tre vrasjet e kryera prej tij gjatë kohës që “funksiononte” banda e Durrësit, janë bërë në gjykatë pas përfundimit të dëshmisë së tij. Më datë 9 tetor ishte caktuar që të zhvillohej një seancë ku i penduari do u përgjigjej pyetjeve të avokatëve mbrojtës dhe të bashkëpandehurve me të. Gjatë pyetjeve ai ka pranuar se ka kryer vrasjet e Kërtushës, Semës dhe Kecit, çka ka bërë që avokatët e të akuzuarve si anëtarë të bandës të kërkonin penalizmin e të penduarit. Në të njëjtën kohë avokatët kanë reaguar ashpër për faktin se këto deklarime nuk ndodheshin në dosjen e bandës së Durrësit. Pas kësaj prokurorët janë pyetur nga gjykata për faktin e mungesës së deklarimeve në dosjen gjyqësore ku kanë pohuar se këto dëshmi nuk bënin pjesë në këtë dosje pasi të pandehurit e bandës së Durrësit nuk ishin përfshirë në këto krime.
Vrasjet e Colit, jo në kuadër të bandës
Prokuroria ka pohuar se i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Adriatik Coli, ka dhënë shpjegime në lidhje me dijeninë e tij për ngjarje të tjera kriminale. Por, sipas tyre, deri në momentin që të pandehurit si anëtarë të bandës së Durrësit nuk akuzohen për ato ngjarje, shpjegimet për to nuk mund të bëheshin pjesë e këtij procesi.