E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ulet dënimi me burg Sejdi Zeqirit

Një trup gjykues i përbërë prej një gjykatësi të EULEX-it dhe dy gjykatësve vendës, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ka ndryshuar dënimin për komandantin e stacionit policor në Obiliq, Sejdi Zeqiri, i cili ishte shpallur fajtor nga Gjykata Komunale në Prishtinë për dy pika të akuzës për abuzim seksual, dy pika për keqtrajtim (fyerje verbale dhe frikësim), gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, dhe një pikë për pranim të ryshfetit.

Sipas komunikatës së EULEX-it, trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut e ka refuzuar njërën pikë të akuzës dhe e ka ndryshuar një pikë të akuzës përkitazi me datën e kryerjes së krimit. Më tej, trupi gjykues e ka pranuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes për heqjen e njërës pikë për të pandehurin, dhe rikategorizimin e një pike tjetër të akuzës. Pjesa tjetër e ankesës është refuzuar.

Gjykata e shkallës së dytë po ashtu e ka zvogëluar dënimin kundër Sejdi Zeqirit. Dënimi i përgjithshëm është zvogëluar në 12 muaj burgim, me një dënim shtesë të ndalimit të kryerjes së aktiviteteve në administratën publike ose në shërbimet publike edhe për dy vjet pas përfundimit të vuajtjes së këtij dënimi./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›