Rruga Pejë-Kullë mbetet e mbyllur

Aksi rrugor Pejë-Kullë që lidh Kosovën me Malin e Zi është i mbyllur për të gjitha mjetet qarkulluese. Kështu bën të ditur policia rajonale e Pejës. Siguria rrugore në rajonin e Pejës po trajtohet me seriozitet të shtuar nga Policia e Kosovës dhe njësitet e saj.
“Nisur nga rrethanat e ndryshimit të motit, si dhe vështirësitë që krijohen në qarkullimin e automjeteve si pasojë e mjegullës, shiut, erës, borës dhe ngricave, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë, ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore duke përfshirë edhe aksin rrugor Pejë-Rugovë dhe Pejë – Kullë, meqë aksi rrugor Pejë – Kullë – Mali i Zi, është i mbyllur për të gjitha mjetet qarkulluese”, thuhet në një komunikatë për shtyp të Policisë Regjionale të Pejës.
Sipas komunikatës, të gjitha akset rrugore do të jenë të mbuluara nga njësitë rajonale të komunikacionit të cilat do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me goma dimërore, zinxhirë, në ato akse ku është i nevojshëm përdorimi i tyre, si dhe për respektimin e normave të shpejtësisë së lejuar dhe përshtatja e kushteve të rrugës, gjithashtu edhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj shoferëve të cilët janë të obliguar për përdorimin e dritave për ndriçimin e rrugës dhe dritat e mjegullës në rastet e zvogëlimit të dukshmërisë së rrugës.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion./Indeksonline/