KQZ, listë të shtetasve që s'mund të jenë anëtarë KQV
Ristani ka ngarkuar administratën që të bëjë një listë të të gjithë atyre shtetasve që mund të kenë precedentë penalë
TIRANË- Të gjithë ata shtetas që në të shkuarën e tyre janë skeduar nga organet e drejtësisë, por dhe vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si persona me precedentë penalë dhe mospërmbushje të detyrave të tyre në proceset zgjedhore, nuk do të bëhen pjesë e komisioneve të qendrave të votimit. Një detyrim i tillë lind nga Kodi, dhe KQZ-ja është e vendosur me përpikëri.
Përfaqësuesi socialist në KQZ, Genci Gjonçaj, ka kërkuar dje shpjegime prej kryetarit të këtij komisioni, nëse një dispozitë e tillë do të zbatohej apo jo, dhe nëse po cila do të ishte procedura për t'i evidentuar shtetasit me precedentë negativë në zgjedhje. "Ligji e përcakton që shtetasit me precedentë penalë të mos jenë anëtarë të KQV-së. Si do veprohet në këto raste?
Do na jepni juve një listë të personave që KQZ-ja ka të penalizuar dhe ata ne të mos i përfshijmë në këto lista, që të shmangim bllokimet e momentit të fundit", - tha Gjonçaj.
Lidhur me këtë shqetësim, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka ngarkuar administratën që të bëjë një listë të të gjithë atyre shtetasve, që në bazë të ligjit zgjedhor, për shkak të së shkuarës, nuk u lejohet të bëhen pjesë e administrimit të procesit zgjedhor në KQV. "Administrata do përgatisë një listë të këtyre shtetasve dhe do t'ua vërë partive në dispozicion", - tha Ristani në përgjigje të këtij shqetësimi.
Gjithashtu, Gjonçaj ka ngritur si shqetësim edhe faktin se shumë nga qendrat e votimit janë përcaktuar, megjithëse pa u miratuar nga KQZ-ja, në ambiente publike, çka sipas tij krijon mundësinë e influencimit mbi zgjedhësit ditën e votimit. Lidhur me këtë çështje ai ka kërkuar nga KQZ-ja një informacion të plotë mbi vendndodhjen e të gjithë KQZ-ve, para se KQZ-ja t'i miratojë ato.