I vdiqën 5 familjarë në Gërdec, i jep dorën Minxollit
TIRANE-Karrocat e prishura të fabrikës së Gërdecit saldoheshin në shtëpinë e të ndjerit Qemal Deliu, që ndodhej vetëm disa metra nga dera kryesore e punishtes. Uran Deliu, njeriu që humbi familjen në tragjedinë e 15 marsit 2008, tha dje në sallën e gjyqit se “babai i tij Qemal Deliu saldonte karrocat e fabrikës”. Ditën e ngjarjes, ai kategorikisht mohoi që të ishin salduar karroca në oborrin e shtëpisë së tij, edhe pse një pjesë të mirë të kohës nuk ishte ndodhur aty. Përpos insistimit të prokurorisë, Uran Deliu këmbëngulte se më 15 mars 2008 nuk ishte salduar asnjë karrocë. Dëshmia e tij konsiderohet si pikë kyçe për zbardhjen e procesit, pasi prokuroria e ka cilësuar shpërthimin si një gabim njerëzor që erdhi si pasojë e saldimit të karrocave. Por djali i familjes që u shua thuajse e tëra nga shpërthimi tragjik, tha se ishte krejt i sigurt për çfarë po thoshte, pasi ditën e ngjarjes ka qëndruar tërë kohës në oborr duke u marrë me shartimin e hardhive. Pasi përfundoi dëshminë e tij, Uran Deliu, teksa dilte nga salla e gjyqit iu afrua kafazit të hekurt ku ndodhej i pandehuri Dritan Minxolli, duke e takuar dhe përshëndetur atë. Saldimi I pari që dëshmoi gjatë seancës së djeshme gjyqësore ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë ishte Uran Deliu. Ai ka humbur pesë pjesëtarë të familjes, mes tyre dhe djalin e vogël, Flavio, i cili në momentin e shpërthimit ishte duke luajtur me oborrin e shtëpisë me një biçikletë të vogël. “Në fabrikën e Gërdecit kanë punuar familjarët e mi, babai Qemali, nëna Korre dhe vëllai Jetmiri. Unë shkoja herë pas here t’i ndihmoja, kur nuk isha i zënë me punë”, - tha Urani. Ai shpjegoi më pas gjithçka kishte përjetuar ditën e ngjarjes. “Isha në oborrin e shtëpisë duke u marre me punë së bashku me vëllain, Ilirianin. Pranë nesh ishte dhe djali (Flavio 3 vjeç). Dëgjova shpërthimin dhe jam larguar me vrap. Kam mundur të futem në një bunker. Më vonë kam dalë në kërkim të familjes. Babain dhe nënën i gjeta në spital. Djali, gruaja dhe vëllai Jetmiri u gjetën tri ditë më vonë. Shtëpia na u shkatërrua e tëra”, - tha dëshmitari. I pyetur për profesionin e babait të tij të ndjerë, Qemal Deliu, ai deklaroi se ishte mekanik dhe tërë jetën ishte marrë dhe me saldime. Pikërisht këtu nisën dhe debatet e nxehta mes prokurorëve dhe palës së mbrojtjes. Uran Deliu tha se babai i tij i sillte karrocat e prishura të fabrikës në shtëpi dhe i saldonte në oborr. “Ditën e ngjarjes babai nuk ka ardhur në shtëpi që të bëjë saldime”, - këmbëngulte dëshmitari. Por, pyetjes së prokurorit Genci Qano, nëse ka qenë gjatë gjithë paradites në shtëpi ditën e ngjarjes, Uran Deliu iu përgjigj se ka vajtur deri në Vorë për të pirë një kafe me vëllanë dhe është kthyer diku rreth orës 10.00. Uran Deliu është pyetur më pas dhe nga avokatët, të cilët duket se kanë si synim të hedhin poshtë pistën e prokurorisë dhe të provojnë se Gërdeci nuk ishte një gabim njerëzor, por sabotazh. Në tragjedinë e 15 marsit 2008, nga shpërthimi i fabrikës së demontimit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. (d.b/GSH/BalkanWeb)