Tragjedi në Teatrin Kombëtar
Autori i Lajmit: Redaksia
Tragjedi në Teatrin Kombëtar. Duket se salla e teatrit të kryeqytetit do të jetë vendi ku do të kalojnë tragjeditë këtë sezon teatror. Burime nga teatri njoftojnë “Elektrën”, si premierën e parë të këtij viti, e cila do të pasohet nga të tjera tragjedi. Pas tëndencës së vitit që kaloi që në skenën e teatrit të ishin më së shumti komeditë, ato që do i servireshin publikut, këtë vit heshturazi Teatri Kombëtar e “shpalli” si sezoni i tragjedive. Ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar provat për veprën “Elektra”, me regji të Adonis Filipit, një regjisor grek do të ngjisë në skenë një tjetër vepër tragjike. Me veladonin e mesjetës Shekspiri do të sjellë “Hamletin”, e cila në ndryshim nga vepra parë do të ngjitet në skenë nga një regjisor i njohur grek. Do të jetë pikërisht regjisori Jorgo Qimulis, i cili së bashku me një kastë të njohur aktorësh shqiptarë do të sjellë në skenën e TK këtë kryevepër të Shekspirit. Ndërkohë që emri i regjisorit grek është i njohur në skenën teatrore të Greqisë për vënien në skenë të tragjedive të ndryshme. Me këto vepra që Teatri Kombëtar do të sjellë në skenën teatrore për publikun, premton për shfaqje të cilat do të prezantojnë vlera të larta artiske. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Kristaq Skrami, këto do të jenë sfidat e sezonit teatror në vazhdimësi. Sa i takon premierës së parë, roli i Elektrës tek tragjedia “Elektra” do të interpretohet nga aktorja e mirënjohur Luiza Xhuvani. Pas një ndërprerje të shkurtër për shkak të angazhimit të saj në politikë, aktorja tregon se asnjëherë nuk e kam menduar veten të shkëputur nga skena. Në këtë tragjedi të Sofokliut rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar artistja e skenës shqiptare, Roza Anagnosti, në rolin e nënës, Klitemnestrës. Në role të tjera janë aktori Laert Vasili, për zbërthimin e personazhit të Orestit dhe shumë aktore të reja të Teatrit Kombëtar që do të interpretojnë vajet e korit të Sofokliut. Subjekti i tragjedisë “Elektra” është marrë nga cikli mitologjik mbi Atridët. Ngjarjet e tragjedisë shtjellohen në situata të ngjashme të "Koeforeve" të Esikilit: Në të dyja veprat Oresti rritet e bëhet burrë në dhe të huaj. Ai është vazhdimisht i shoqëruar nga miku i tij besnik, Piladi. Tek të dy tragjeditë Oresti vë në provë të motrën duke iu shfaqur në fillim si i huaj, pastaj ndodh çasti i rinjohjes. Por secili nga këta dy poetë të mëdhenj ka vënë në vepër vulën e personalitetit të tij si artist. Ndërsa te Eskili rolin kryesor e ka Oresti, Sofokliu vë motrën e tij, Elektrën, në qendër të vëmendjes. Oresti nuk është veç krahu, shpirti është e motra. Të dy janë të vendosur dhe skanë asnjë luhatje në çastin kur ngre dorën dhe vrasin nënën e tyre, Klitemnestrën. Elektra është shumë e afërt me Antigonën për nga forca e vullnetit, nga vendosmëria për të kryer atë detyre që ajo e quan të shenjtë. Po ashtu mësohet se në planet e tjera të Teatrit Kombëtar është menduar për vitin 2010 rihapja e Konkursit Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe. Gjithashtu së shpejti do të nisë puna për një tjetër premierë, e cila parashikohet të ngjitet në skenë në muajin mars. Bëhet fjalë për veprën e shkruar prej italianit Lugi Pirandello “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, e cila do të vijë në skenë nën drejtimin e regjisorit Mehmet Xhelili. Edhe kjo vepër, në vijueshmëri të dy të parave është një tragji-komedi. Në Teatrin Kombëtar mësojmë se pas 3 premierave të para situata do të vijë duke u zbutur, ku do të ngjitet në skenë një dramë shqiptare, e cila pritet të jetë gati për publikun rreth muajit prill. Drama shqiptare do të përzgjidhet në kohën e duhur, duke pasur parasysh prurjet e dramaturgëve shqiptarë me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar. Po ashtu muaji maj do të sjellë një atmosferë tjetër, një sërë aktivitetesh festive në kuadër të krijimit të Teatrit Kombëtar. Po këtë muaj do të kthehet një tjetër aktivitet i rëndësishëm teatror. Bëhet fjalë për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit me pjesë kombëtare. Ndërkohë, në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare, drejtori Skrami ka përmendur pjesëmarrjen e veprës “Alegreto Albania” të regjisorit Altin Basha në bienalen teatrore "New Plays from Europe", e cila më parë është njohur me emrin "Bienalja Teatrore e Bonit". Aktiviteti organizohet në Visebaden të Gjermanisë. Kjo pjesëmarrje vjen në kuadër të bashkëpunimit me ETC-në për shkëmbimin e vlerave artistike dhe promovuese. Ky është një ndër evenimentet më të rëndësishme për Teatrin Kombëtar për sa i përket pjesëmarrjes në festivale, pasi pjesëmarrja në këtë festival është pjesëmarrja që synohet nga teatrot më prestigjioze në Europë.
Ky lajm është publikuar: 01/02/2010