Kërcënimi sovjetik sjell delegacionin ushtarak kinez në Tiranë
Autori i Lajmit: Androkli DraloTiranë, 4 dhjetor 1968 - Trumbetimi i një marrëveshjeje të rëndësishme ekonomike mes Kinës dhe Shqipërisë pas vizitës së fundit të një delegacioni ushtarak të lartë kinez dhe vizita e një delegacioni të Partisë Shqiptare të Punës në Pekin, tregojnë përgjigjen e vrullshme kino-shqiptare ndaj pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë dhe prezantimit të “doktrinës Brezhnjev” në arenën evropianolindore. Tërheqja nga Traktati i Varshavës, një vendim i mbështetur fuqimisht dhe nga udhëheqësit kinezë, ishte shuplaka e parë e Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik për pushtimin e Çekosllovakisë. Dy festat kombëtare të Shqipërisë, përvjetori i 56 i shpalljes së Pavarësisë dhe 24-vjetori i çlirimit të vendit më 28 dhe 29 nëntor, siguroi platformën e deklarimeve politike të bëra në kuadër të fazës së re të bashkëpunimit kino-shqiptar. Pekini u prezantua në kremtimet e këtyre festimeve në Tiranë me një delegacion të lartë partiak, qeveritar dhe ushtarak, të kryesuar nga anëtari i Komitetit Qendror dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Huan Jun Shen, dhe të tjerë zyrtarë të lartë të marinës dhe forcave ajrore kineze. Tensionet e reja politike dhe ushtarake në këtë kontinent, janë reflektuar dhe në përbërjen e këtij delegacioni kinez. Gjatë dy viteve të fundit, që shtrihen pothuajse në të gjithë kohëzgjatjen e Revolucionit Kulturor, zyrtarët kinezë bënë një vizitë në Shqipëri në dy raste të veçanta. Në nëntor 1966, një nga figurat kryesore të Revolucionit Kulturor Kinez, Kan Shen, përfaqësoi Partinë Komuniste Kineze në Kongresin V të PPSH-së. Më pas në verë të vitit 1967, një nga udhëheqësit kryesorë të Rojeve të Kuqe, Jao Ven Juan, mori pjesë në Kongresin V të të rinjve. Përbërja dhe koha e mbërritjes së delegacioneve të tanishme nuk duhet të konsiderohet thjesht një formalitet rutinë. Prezenca e zyrtarëve të lartë ushtarakë kinezë në Shqipëri gjatë një kremtimi përvjetori ishte përllogaritur me shumë kujdes nga Pekini për të përcjellë përgjigjen e Kinës ndaj ambicieve politike të Bashkimit Sovjetik në këtë rajon. Vizita e delegacionit kinez ishte e shkurtër. Ajo zgjati vetëm 6 ditë (27 nëntor – 3 dhjetor). Por shkurtësia e qëndrimit u kompensua nga një axhendë shumë e ngjeshur aktivitetesh. Huan Jun Shen, duke folur për pritjen që iu akordua delegacionit kinez, deklaroi se që prej ditës së mbërritjes së tyre në Tiranë, delegatët ishin ndjerë “sikur po notonin në detin e miqësisë kino-shqiptar”. Atyre iu rezervua dhe një tur i shpejtë në Shqipërinë e Jugut në bazën detare të qytetit të Vlorës, duke theksuar natyrën dhe qëllimin defensiv të vizitës në këtë qytet port ushtarak. Baza sot ka vetëm disa nëndetëse të lëna aty nga sovjetikët në vitin 1961 dhe disa anije të vogla defensive. Premtimet e solidaritetit për mbështetje reciproke në rast të kërcënimeve direkte si nga “imperialistët” apo “revizionistët” ishin në qendër të ditës. Pavarësisht solidaritetit dhe bashkëpunimit mes dy popujve dhe partive, mbështetjes së forcave të armatosura të të dyja vendeve iu vu i njëjti theks. Gjatë dy pritjeve të mbajtura për nder të miqve kinezë më 2 dhjetor në Tiranë, Huan Jun Sheni, deklaroi se dy vendet “do të qëndrojnë gjithnjë përkrah njëra-tjetrës, do të luftojnë së bashku dhe do të fitojnë së bashku”. Megjithatë, nuk ka asnjë informacion konkret për atë që kinezët mund tu kenë premtuar homologëve të tyre shqiptarë për sa i përket ushtrisë. Shqiptarët bënë gjithçka për tu dukur të kënaqur me rezultatet e bisedimeve me zyrtarët ushtarakë kinezë. Sipas komentit të Radio Tiranës, më 3 dhjetor, i cili mori dhe formën e një komunikate, “vizita e shokëve të nderuar kinezë, takimet dhe bisedimet që u zhvilluan, u karakterizuan, si gjithnjë, nga një përputhje mendimesh dhe veprimesh për të gjitha çështjet e diskutuara”. Transmetimi vazhdoi të përmendte se populli shqiptar ishte i bindur që vizita “do të shërbente për zhvillimin e mëtejshëm dhe forcimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy bozhureve, dy partive dhe dy ushtrive”. Në linjë me propagandën kino-shqiptare, udhëheqësi i delegacionit kinez përmendi dy herë prezencën e trupave sovjetike në Bullgari, një akuzë të cilën shqiptarët e kanë propaganduar që prej tërheqjes së tyre nga Traktati i Varshavës më 13 shtator. Gjatë takimit të pritjes së 2 dhjetorit, në të cilën ishin të pranishëm të gjithë udhëheqësit shqiptarë, Huan Jun Sheni pohoi se pas tërheqjes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, revizionistët sovjetikë i grumbulluan trupat e tyre në Bullgari. Në të njëjtën kohë ata përshpejtuan manovrat e flotës në Mesdhe. Të gjitha këto lëvizje kërcënojnë sigurinë e Mesdheut. Të gjitha këto lëvizje kërcënojnë sigurinë e popullit shqiptar, popujve të Ballkanit dhe atyre të Lindjes së Mesme”. Zyrtari ushtarak kinez duket se kërkoi të thoshte se lëvizjet ushtarake sovjetike në rajon kishin precipituar për shkak të boshllëkut ushtarak të lënë në anën juglindore të Evropës pas tërheqjes së Shqipërisë nga Traktati. Nga ana e tyre, udhëheqësit shqiptarë ishin shumë më të ashpër se homologët e tyre, me paralajmërime dhe kërcënime të ashpra kundër çdo agresori potencial. Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Beqir Balluku, i cili nuk ka shumë që është kthyer nga një vizitë në Kinën Komuniste, arriti deri atje sa deklaroi se gjatë takimi miqësor të 2 dhjetorit në Tiranë, “armët bërthamore në duart e popullit të madh kinez... ishin armë në duart e të gjithë popujve revolucionarë në të gjithë botën”. Balluku ka shumë të ngjarë që fliste në terma simbolikë, por ishte sigurisht i vetëdijshëm për ndikimin propagandues të fjalëve të tij. Mehmet Shehu theksoi me të njëjtat tone se armiqtë e Shqipërisë duhet të kuptojnë se miqësia mes Kinës dhe Shqipërisë “nuk është e kufizuar vetëm në fushat ideologjike, politike dhe ekonomike, por dhe në atë ushtarake”. Më pas ai vazhdoi të përsëriste paralajmërimin standard të Shqipërisë se një sulm i armatosur kundër vendit të tij “nuk do të kufizohej vetëm brenda kufijve shqiptarë, por do të përhapej deri në vendin e origjinës”. Kur vjen fjala tek sulmet antisovjetike, si udhëheqësit kinezë ashtu edhe ata shqiptarë, zor se u mungon material i ri propagandistik. Ishte radha e Mehmet Shehut për të dhënë një përgjigje ndaj “doktrinës Brezhnjev”, duke tërhequr një paralele mes eksperiencës së Shqipërisë me Italinë fashiste të paraluftës dhe përpjekjeve sovjetike për të justifikuar ndërhyrjen në Çekosllovaki. Sipas Shehut, një shkak i pasojave shumë serioze në situatën ndërkombëtare ishte deklarata e hapur e revizionistëve sovjetikë për “të drejtën gjyqësore”, të cilën klika revizioniste e tradhtarëve ia atribuon vetes për të ndërhyrë dhe ushtarakisht, pa u ftuar nga askush, ashtu siç bëri në Çekosllovaki gjoja me pretekstin për të shpëtuar socializmin nga rreziku imperialist. “Kjo tezë është po aq fashiste sa ajo e Musolinit e shprehur në marrëveshjen e vitit 1926 mes regjimit feudal të Ahmet Zogut dhe “të drejtës gjyqësore” që Duçja kishte rregulluar për të ndërhyrë në Shqipëri kur ta konsideronte se situata e brendshme e regjimit të Shqipërisë në atë kohë “rrezikohej” ose, nëse interesat e fashistëve italianë ishin në rrezik. Me fjalë të tjera, ata do të ndërhynin kur ta shihnin të nevojshme. Dhe është nisur pikërisht nga ky koncept fashist dhe ndërhyrja e Musolinit më 7 prill 1939, kur ai pushtoi Shqipërinë dhe me të njëjtin koncept klika moskovite hrushoviane veproi më 21 gusht 1968 kur pushtoi Çekosllovakinë. Vlerësimi i Shehut për “doktrinën Brezhnjev” e artikuluar me ndihmën e paraleleve historike, shpalos njëkohësisht pranimin e hapur të Shqipërisë për ekzistencën e një doktrine të tillë. Prandaj kjo çon udhëheqësit shqiptarë në konkluzionin se Bashkimi Sovjetik është kthyer në një shtet “socialimperialist” dhe “socialfashist”. E njëjta akuzë u përsërit dhe gjatë fjalimit të Huan Jun Shenit kur sulmoi politikat e tanishme sovjetike të përballjes me vendet socialiste të Evropës Lindore. Zyrtari ushtarak kinez shfaqi gjithashtu dhe profilin e tij politiko-ideologjik duke tërhequr vëmendjen tek gjoja ekzistenca e një “grupi stalinist” brenda Bashkimit Sovjetik, i cili, sipas tij, “kishte ngritur flamurin e luftës për të rrëzuar klikën revizioniste tradhtare sovjetike”. Si zakonisht, ai nuk shkoi më tej me deklarata, ndërsa përfundoi duke bërë thirrje për “marksistë-leninistët” e vërtetë që të bashkoheshin dhe të krijonin një front të vetëm. Kjo thirrje mund shumë mirë të reflektojë dhe qëllimet më të fundit të udhëheqësve kinezë dhe shqiptarë për të përsëritur përpjekjet e riorganizimit të forcave “marksiste-leniniste” në shkallë ndërkombëtare.
Ky lajm është publikuar: 01/02/2010