E Diel, 1 Nëntor 2026

I vë flakën pyllit, prangoset nga policia

26/08/2010 U shkrumbuan 5 mijë metër katror pyll me pisha

BERAT- Një 35-vjeçar është ndaluar nga uniformat blu të qytetit të Beratit, pasi ky i fundit i ka vënë flakën pyllit të fshatit. Burime të policisë së Policisë së Qytetit të Beratit kanë bërë me dije se pasditen e djeshme është ndaluar Naim Dervishi, i cili akuzohet se me dashje i ka vënë pyllit të fshatit të tij zjarrin, çka ka shënuar dhe kështu ndalimin e parë për këtë vit për zjarrvënie të qëllimshme, ndërkohë që po punohet për të mësuar shkaqet e kësaj ngjarje. Po të njëjtat burime pohuan se pasditen e djeshme rreth orës 15:00 u vu në pranga të policisë 35-vjeçari Dervishi, banor i fshatit Fush-Peshtan në këtë rreth. Sipas hetimeve të policisë, 35-vjeçari është autor i zjarrvënies së qëllimshme në pyllin e fshatit, zjarr i regjistruar paraditen e djeshme. Zjarrvënia është vënë rreth orës 10:00, ku kanë qenë banorët e fshatit të vënë në alarm pasi pylli i quajtur "Pylli Lip" në dalje të fshatit Fush-Peshtan u përfshi nga flakët. Kanë qenë banorët e këtij fshati, të cilët janë munduar të ndalonin sadopak flakët, por ka qenë e pamundur pasi temperaturat e larta dhe barërat e thatë kanë bërë që i gjithë pylli të përfshihej në flakë. Gjithashtu, kanë qenë këta të fundit që kanë kërkuar menjëherë ndihmën e policisë, ndërkohë që punonjësit zjarrfikës të ndihmuar nga banorët e zonës dhe punonjësit e ndërmarrjes së pyjeve bënë të mundur lokalizimin e flakëve të zjarrit dhe mos përhapjen e tyre në pyllin e mbjellë me pisha. Nga verifikimet e para u mësua se zjarri përfshiu dhe shkrumboi rreth 5000 metra katror pyll me pisha duke djegur kështu gjithë sipërfaqen me shkurre, por dhe shumë drurë. Policia që mbërriti në vendin e ngjarjes për të mësuar shkaqet e kësaj rënie zjarri nga hetimet e para, por dhe marrja në pyetje e shumë banorëve të zonës mundi të identifikojë si përgjegjës të kësaj zjarrvënie 35-vjeçarin Dervishi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›