I vë flakën vetes 18-vjeçari, në gjendje të rëndë
TENTATIVA/ Një adoleshent ka përdorur benzinën për t'i dhënë fund jetës pas një periudhe të gjatë depresioni
TROPOJË - Një 18-vjeçar ka tentuar t'i japë fund jetës duke i vënë flakën vetes. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e kaluar në komunën Tropojë-fshat, ndërsa Elidon Gosturani është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku, sipas burimeve zyrtare të policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shkak për aktin e kryer dyshohet të ketë qenë një gjendje depresive në të cilën adoleshenti ndodhej për një kohë të gjatë, ndërkohë që të afërmit mohojnë që 18-vjeçari të ketë pasur probleme të tilla që ta çojnë në një tentativë vetëvrasjeje.
Ngjarja
Mësohet se Elidon Riza Gosturani, në mesnatë, teksa të afërmit e tij kanë qenë duke fjetur, ka marrë një shishe me benzinë, të cilën e ka derdhur mbi trupin e tij e më pas i ka vënë flakën.
Skena ka qenë tragjike për të afërmit e 18-vjeçarit, të cilët janë tronditur nga gjithçka që kanë parë. Ata janë munduar menjëherë që të shuajnë flakët në trupin e të riut që digjej para tyre.
Pas ndërhyrjes së familjarëve dhe pas shuarjes së flakëve, ata kanë njoftuar ambulancën, ndërsa mësohet se adoleshenti ka marrë djegie në 70% të trupit të tij. Ndërhyrja e mjekëve të zonës ka qenë pak e vështirë edhe për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhej i riu.
Kështu, drejtori i Shëndetit Publik, Anibal Byberi, u shpreh se sapo është marrë njoftimi për ngjarjen e ndodhur, është kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe adoleshenti është dërguar me një helikopter për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për të marrë një ndihmë mjekësore të specializuar.
Të kontaktuar dhe të pyetur lidhur me ngjarjen, familjarët deklarojnë se nuk i kuptojnë arsyet që mund ta kenë çuar 18-vjeçarin në aktin vetëflijues.
Policia
Pas marrjes dijeni për ngjarjen, policia ka nisur hetimet e veta. Në deklaratën për shtyp të dhënë në këtë rast, burimet zyrtare të policisë, shprehen se shkak për veprimin vetëvrasës të 18-vjeçarit Elidon Riza Gosturani ka qenë një gjendje depresive në të cilën ai ndodhej prej kohësh.
Gjithashtu burimet zyrtare shprehen se nga informacionet më të fundit të marra, adoleshenti ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ky është rasti i dytë në Tropojë i vetëvrasjeve. Në shkurt të këtij viti, 33-vjeçari Kujtim Haxhi Osmani, nga fshati Çukë, komuna Fierzë, u gjet i vetëvarur nga familjarët në një nga dhomat e shtëpisë.