E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet anëtari i bandës së Durrësit

Bujar Gashi, 37 vjeç, është ekstraduar dje nga Italia si person në kërkim i akuzuar për vrasjen e Dritan Dishës në vitin 2000


Gjykimi ndaj tij, pritet të zhvillohet i veçuar nga pjesëtarët e tjerë të bandës, pas kërkesës së akuzës për plotësime të vogla


TIRANË- Ekstradohet nga Italia njëri nga anëtarët e akuzuar si pjesëtar i bandës së Durrësit, i akuzuar për vrasjen e Dritan Dishës në vitin 2000, si dhe krime të tjera në kuadër të bandës së mësipërme. Ekstradimi i tij është kryer mbrëmjen e të hënës vonë nga Italia me një avion të një shoqërie ajrore që është nisur nga Milano, ndërsa policia e kryeqytetit ka pohuar se ekstradimi i tij është kryer në masa të rrepta sigurie.


Bujar Gashi, 37 vjeç, nga Durrësi, akuzohet për veprën penale të vrasjes dhe pjesëmarrjes në organizatat kriminale, armëmbajtjes pa leje e akuza të tjera, që prej vitit 2001, një vit pas krimit ndaj Dritan Dishës, për të cilin dyshohet se është ekzekutori i tij.


Ai është arrestuar rreth 2 vite më parë, nga policia italiane, pasi ndaj tij Gjykata e Krimeve të Rënda, kishte marrë masën e arrestit në mungesë me akuzat e mësipërme. Më tepër se 7 vite, Gashi, kishte mundur të qëndronte në Itali, pa u ndaluar nga autoritetet e drejtësisë, edhe pse kishte dyshime se ai ishte autor i vrasjes së Dishës, ndaj tij nuk kishte një urdhër arresti për shkak të mungesës së provave.


Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vendosur ndaj të ekstraduarit më 27 korrik 2008 masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim.


Vrasja për të cilën akuzohet anëtari i bandës së Durrësit ka ndodhur në vitin 2000 në Shënavlash të Durrësit, ku mbeti i vrarë në mjetin e tij Dritan Disha.


Sipas hetimeve të Prokurorisë, Bujar Gashi banor i Durrësit, ka vrarë në bashkëpunim dhe me anëtarët e tjerë të bandës më 9 korrik 2000 Dritan Dishën i cili është ekzekutuar në makinë pranë shtëpisë së tij.


Për këtë vrasje akuzohen si autorë të dyshuar nga prokuroria, Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai që të tre aktualisht të arrestuar dhe Bujar Gashi.


Sipas prokurorisë, nga hetimet disa mujore ka rezultuar se Dokle, Coli, Taullai dhe Gashi kishin organizuar pritën për të ekzekutuar shtetasin Tan Disha, të cilit i zunë pritë në Shënavlash të Durrësit, ku mësohet se Taullai ishte vendosur 500 metra para "shokëve" të tij për të sinjalizuar ardhjen e "shënjestrës".


Ku mësohet se Disha me makinën e tij sapo ishte afruar afër të pandehurve Dokle, Gashi e Coli këta të fundit kishin qëlluar më breshëri duke e lënë të vdekur në vend. Dosja në ngarkim të Bujar Gashit po gjykohet nga Krimet e Rënda e veçuar nga 15-të të pandehurit e tjerë të bandës së Durrësit.


Me ardhjen e tij në Shqipëri Gashi duhet të përballet me disa akuza ku më e rënda është ajo e vrasjes e kryer në bashkëpunim. Ky i fundit akuzohet dhe për pjesëmarrje në organizatat kriminale si dhe kryerjen e krimeve nga organizata kriminale.


Veprat penale për të cilat akuzohet Bujar Gashi janë kryer në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë të bandës së Durrësit, por ai pritet të gjykohet veçmas pjesës tjetër të bandës, për shkak se prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e krimeve të Rënda, të plotësimin disa gjeneralitete dhe të dhëna të tjera për këtë të pandehur.


Gashi është një nga pesë persona që gjykohej në mungesë. Katër prej të akuzuarve të tjerë të bandës së Durrësit, po gjykohen në mungesë dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.


Bujar Gashi ka qenë anëtar i bandës që drejtohej nga Lulëzim Berisha, ku anëtarët e saj u bënë armiq të njëri - tjetrit pas mosmarrëveshjeve për kontrollin e trafikut të drogës dhe kontrollit të pasurive të bandës.


Akuzat e prokurorisë ndaj Gashit
Pjesëmarrje në organizatën kriminale
Kryerje e krimeve në kuadër të organizatës kriminale
Vrasje me paramendim në bashkëpunim, në dëm të Dritan Dishës
Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake

Vrasja e Dishës sipas kërkesës për gjykim të prokurorisë
Në datën 09. 07. 2000 në vendin e quajtur Shënavlash, të pandehurit Dritan Coli, Indrit Dokle, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi kanë vrarë shtetasin Dritan Disha i cili po udhëtonte me një makine BMW në drejtim të banesës se tij.


Disha ka qenë lidhje shoqërore e shtetasit Erjon Lame dhe Marsel Sotirit. Viktima po lëvizte me një autoveture tip "BMV" dhe pasi është ndarë nga një vajzë të cilën e ka shoqëruar deri në afërsi të shtëpisë së saj, është gjendur në pritën e organizuar nga autorët të cilët kanë qëlluar me disa lloj armësh nga drejtime të ndryshme, duke shkaktuar vrasjen e tij.


Arrestohen 4 persona për vjedhje pusetash

TIRANË - Katër banorë të lagjes "Kombinat" në Tiranë janë arrestuar në flagrancë nga Policia e kryeqytetit si autor të vjedhjes së kapakëve të pusetave.


Lirim Hysenaj 25 vjeç, N. T 14 vjeç, B. V 15 vjeç dhe E. K 15 vjeç nga Tropoja dhe banues në lagjen Kombinat të kryeqytetit janë arrestuar efektivat e Policisë së Komisariatit Nr. 6 në momentet kur po transportonin kapakët e vjedhur me makinën e 25- vjeçarit të arrestuar.


Policia pas informacioneve të marrë ka mbajtur nën vëzhgim tre adoleshentet të cilët ishin të dyshuar për vjedhjet e kapakëve të kasetave dhe dje ka arritur që t'i ndalojë duke sekuestruar dhe kapakët e vjedhur nën cilësinë e provës materiale.


Pas marrjes në pyetje, të rinjtë kanë lënë Komisariatin dhe do të hetohen në gjendje të lirë. Materialet hetimore në ngarkim të katër të rinjve i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të vjedhjes e kryer në bashkëpunim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›