E Diel, 1 Nëntor 2026

Lumë valute në rrugë pranga 19 kambistëvë

26/05/2009  Operacion i Antikrimit Ekonomik në policinë e Tiranës me metoda speciale

TIRANE- Arrestohen 16 persona, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të këmbimit të valutës dhe të parave në rrugë. Kanë shërbyer disa denoncime të depozituara në policinë e Tiranës, që efektivat e kësaj të fundit të vihen në lëvizje për identifikimin dhe arrestimin e personave që kryenin këtë veprimtari kriminale. Falë provave të mbledhura në teren, punonjësit e njësisë hetimore Task-Forcë në bashkëpunim edhe me drejtuesit kundër krimit-financiar, kanë organizuar ditën e djeshme operacionin e koduar “Black market”, ku në rrjetën e të cilit ranë 16 persona. Burime pranë policisë së kryeqytetit thanë se për gati tre muaj me radhë është bërë survejimi i çdo personi të arrestuar si dhe dokumentimi i plotë ligjor i kësaj çështjeje. Mësohet se agjentë të seksionit kundër krimit ekonomik kanë ndjekur në teren çdo lëvizje të të dyshuarve, të cilët gjatë ushtrimit të aktivitetit janë fotografuar dhe filmuar nga punonjësit e policisë. Mirëpo për ta sqaruar më konkretisht rolin e tyre, policia ka vendosur që të marrë në pyetje personat e identifikuar. Gjatë deklarimeve të tyre në polici, ata kanë hedhur poshtë pretendimet e policisë duke pohuar se nuk kryejnë asnjë aktivitet kriminal. Fill pas dhënies së dëshmisë ata janë lënë të lirë. Mirëpo përkundër deklarimeve të personave të shoqëruar, uniformat blu kanë menduar që pjesa më e madhe e tyre të arrestohen me “presh” në dorë. Pikërisht për këtë gjë punonjësit e policisë kanë vënë në zbatim një plan, i cili nëpërmjet agjentëve të maskuar si qytetarë, kishte për qëllim të arrestonte në flagrancë 16 të dyshuarit. Kështu ditën e djeshme pothuajse 10 agjentë kanë shkuar në drejtim të personave të arrestuar për të shkëmbyer valutë. Mirëpo gjatë këtij procesi, në vend të parave agjentët kanë nxjerrë nga xhepi i tyre prangat, duke bërë ndalimin në flagrancë. Mësohet se ndaj 13 të ndaluarve gjykata e Tiranës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për tre shtetas të tjerë gjykata vendosi masën e “arrestit shtëpiak”. Ata akuzohen se kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm, duke konsumuar veprën penale të “ushtrimit të palicencuar të veprimtarisë financiare”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e konsiderueshme parash në euro dhe lekë shqiptar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›