E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet Ylli Kelmendi,shoku i Mirit të Xhikes

26/05/2009  I kapur për armëmbajtje pa leje

TIRANË- Pas lirimit nga burgu të Sokol Koçiut, i cili përfitoi nga drejtësia 2 vjet e 8 muaj burg, për të qenë i lirë, radhën dje e pati Ylli Kelmendi. I njohur si një nga shokët më të ngushtë të Fatmir Ramës, ose i thirrur ndryshe Miri i Xhikes, ( tashmë i vrarë) disa vite më parë, Kelmendi la dje qelitë e burgut pas vendimit të gjykatës. Kelmendi nuk ndodhej vet në sallën e gjyqit, por vendimi u dha nga gjyqtari Petrit Çomo. Ndërsa bëhet e ditur se Ylli Kelmendi fitoi lirinë me kusht, për shkak të dënimit të ulët që mori nga gjykata dhe si pasojë e veprës penale jo të rëndë. Ai u dënua nga gjykata për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të punonjësve të policisë. Vendimi për të lënë të lirë Kelmendin me kusht u dha dje në orët e pasdites, ndërkohë që menjëherë ka qenë avokati ai që i dha lajmin duke e dërguar në shtëpi. Ylli Kelmendi, ashtu sikurse edhe Sokol Koçiu, nuk duhet të kryej asnjë vepër penale gjatë kohës që është i lirë me kusht në të kundërt do të kthehet në qeli të vuaj dënimin e mbetur dhe atë për veprën e re penale. Kelmendi u vu në pranga në korrik të vitit të kaluar e pikërisht në datë 4. I dënuar tashmë me dy vjet burg, Kelmendit i kishte mbetur për të vuajtur vetëm një pjesë e dënimit, e cila llogaritet me muaj. Ndërkohë që para gjykatës nëpërmjet avokatit mbrojtës është shprehur se do të respektojë vendimin e gjykatës. Kelmendi në momentin e ndalimit nga ana e policisë nuk pranoi të kontrollohej. Jo vetëm kaq, por Kelmendi kundërshtoi me forcë grupin e gatshëm, i cili bënte kontroll tek blloku. Kaq është dashur që policia të njoftoi kolegët e saj të komisariatit numër 1 për t’i vënë prangat të pandehurit. Pas arrestimit Ylli Kelmendit nga kontrolli iu gjet një armë automatike e tipit pistoletë dhe disa fishekë. Arrestimi i Kelmendit u bë në rrugën “Xhorxh Bush”, në afërsi të Kuvendit në Tiranë. Mësohet se Kelmendi nuk ka pranuar të kontrollohet nga policia dhe ka goditur dy prej tyre. Përforcimet në radhët e policisë kanë çuar në ndalimin dhe më pas në dërgimin e tij në qeli. Gjatë kontrollit atij iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip “TT”, me një krehër me 7 fishekë, të cilën e mbante pa leje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›