E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikuan 20 kg heroinë, në gjyq "shokët" e Shullazit

Arben Duraj dhe Bledar Qemalaj, akuzohen si pjesëtarë të një linje heroine që niste nga Turqia me destinacion Italinë


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet përfundoi hetimet dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të dy të pandehurve fierakë Bledar Qemalaj dhe Arben Duraj, të akuzuar për "Trafikim të narkotikëve" në bashkëpunim me të pandehurit e dënuar të arrestuar në operacionin "Identikit".


Mes të dënuarve të këtij operacioni, sipas dosjes penale, ka qenë edhe shtetasi Emiljano Shullazi, Ervin Ferhati, Erges Ymeraj, Erjon Gogaj, Selfo Driza, Lutfi Shabani etj, të cilët kishin trafikuar nga Turqia në Shqipëri dhe më pas në Itali rreth 55 kg heroinë e 100 kg përziers.


Sipas kërkesës për gjykim, që "Shekulli" ka siguruar një kopje, mësohet se dosja ndaj të pandehurve Qemalaj dhe Duraj është ndarë nga të dënuarit tashmë e operacionit "Identikit", në shkurt të 2007, në pritje të ardhjes së letër-porosisë me materiale shtesë.


Sipas kësaj dosjeje, mësohet se dy fierakët të fshehur pas emrave fals kanë organizuar trafikimin e një sasie prej 20 kg heroinë, nga Turqia në Shqipëri dhe më pas në Itali nëpërmjet korrierëve shqiptarë të cilët janë arrestuar në shtetin fqinjë.


"Të pandehurit Bledar Qemalaj (Nazim Mema) dhe Arben Duraj (i njohur si Beni), në datat 25\26 gusht 2004 në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetasit shqiptarë të arrestuar në Itali, Gëzim Bala dhe Elvis Spahaj kanë trafikuar 15 kg heroinë.


Droga është nisur nga Shqipëria nga i pandehuri Duraj, i cili e kishte fshehur me kujdes në autoveturën e korrierit Gëzim Bala, që do t'i dorëzohej të pandehurit Qemalaj që priste bashkë me shtetasin Elvis Spahaj.


Aty rreth orës 15:30 minuta, kur të pandehurit po takoheshin në brendësi të një marketi në rrugën "Trieste nr.99" në Montichiari të Breshias, ku policia i është afruar makinës "Reanult 19" me targa gjermane "H -CD 1682", duke ushtruar kontroll, ku për pasojë kanë gjetur e sekuestruar 30 pako të dyshuara me peshë 15 kg heroinë. Menjëherë janë arrestuar korrierët Gëzim Baal dhe Elvis Spahaj, ndërsa Qemalaj ka mundur të ikë.


Gjithashtu, po këta të pandehur më 29 nëntor 2 dhjetor 2004 kanë organizuar e trafikuar nga Turqia në Shqipëri dhe më pas në Itali 5 kg heroinë, të sekuestruar po nga policia e Breshias në Itali.


Dosja në ngarkim të dy të pandehurve ka ardhur me anë të letër-porosisë më datë 29 qershor 2006 dhe pas përkthimit, prokuroria e Krimeve të Rënda ka kryer identifikimin e personave dhe ka urdhëruar arrestimin e tyre më 23 dhjetor 2008 në Fier.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›