I vetëdorëzuari mohon ndihmën për vrasësin
Arben Basha mohon të ketë ndihmuar apo përkrahur autorin e dyshuar të vrasjes së Evdil Koços të enjten nga Donald Prengpuca
Krimi ndodhi për shkak të grindjes mes dy të rinjve pas një loje në tavëll
TIRANË- Pas vetëdorëzimit në komisariatin e policisë nr.2, të Arben Bashës i cilësuar si dëshmitar i vrasjes së Evdil Koços dhe i dyshuar nga uniformat blu si personi që fshehu armën e krimit, Basha ka dhënë versionin e tij mbi ngjarjen. Sipas burimeve të policisë, Basha ka mohuar të jetë përfshirë në ngjarjen e të enjtes, pavarësisht njohjes që ka pasur me viktimën Evdil Koço dhe autorit Donald Prengpuca. Arben Basha është vetëdorëzuar një ditë pas vrasjes së Koços në dyqanin e shkëmbimit të pjesëve të makinave në vendin e quajtur pallatet "Hawai", në Laprakë, ku dhe më pas nuk ka pranuar akuzën që kishte ngritur Policia për të, duke mohuar fshehjen e armës pak minuta pas vrasjes. Basha ka rrëfyer para uniformave blu rrethanat e ngjarjes, por ka hedhur poshtë të ketë përkrahur dhe ndihmuar autorin e krimit ndaj Koços.
Ky fakt është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të policisë të cilët kanë pohuar se Basha ka refuzuar të ketë mbajtur armën e krimit të Prengpucës, i arrestuar me akuzën e vrasjes së Evdil Koços. Sipas burimeve të Policisë, Basha ka treguar vendin e armës së krimit, e cila është gjetur më pas në një nga lokalet afër vendit ku u qëllua Evdil Koço. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim pasi dyshohej se pas goditjes me pistoletë të të riut, kishte fshehur armën që ishte e Donald Pregapucës që është arrestuar si autor i dyshuar i vrasjes së 23 vjeçarit Evdil Koço.
Përveç mohimit të fshehjes së armës, Basha mësohet se ka mohuar dhe përfshirjen në konfliktin që ka lindur midis të rinjve. Evdil Koço, u qëllua për vdekje me armën tip "pistoletë", ditën e enjte, ku nga hetimet paraprake të policisë ka rezultuar se konflikti midis të rinjve ka lindur për motive të dobëta, në momentet kur kanë qenë duke luajtur tavëll. Koço ndërroi jetë pak minuta pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak, pas një plumbi të marrë në kokë. Edhe pse i riu u dërgua vetëm pak minuta pasi u godit me armë, nuk mundi të jetonte për shkak se plumbi që mori në kokë, i shkaktoi dëmtime të trurit. Brenda ditës, kur ndodhi ngjarja, Policia e kryeqytetit arrestoi autorin e dyshuar të vrasjes, 22- vjeçarin Donald Pregapuca.
Vrasja në fillim u dyshua se ishte aksidentale, por pas kryerjes së hetimeve nga Policia, kjo e fundit komunikoi zyrtarisht se dyshohet se vrasja është kryer me dashje. Versioni i parë i ngjarjes që u ngrit ditën që ndodhi vrasja e të riut, ishte se vrasja mund të ketë ndodhur gjatë pastrimit të armës nga autori i dyshuar Donald Pregapuca dhe viktima Evdil Koço. Por një ditë pas vdekjes së 23- vjeçarit me banim në Tiranë, Policia në versionin zyrtar të ngjarjes, e paraqiti vrasjen si të kryer me dashje, pas një konflikti të lindur midis viktimës dhe autorit. Sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit mësohet arma e krimit mbahej pa leje nga Prengapuca dhe përveç akuzës për "vrasje me dashje", ky i fundit akuzohet dhe për "armëmbajtje pa leje".