Qindra makina të bllokuara në rrugën e plazhit
Kaos në rrugën më të frekuentuar të Shqipërisë, makinat qëndrojnë më shumë se tre orë në trafik. Shkak punimet në rrugë
DURRËS- Kushdo që mendon të udhëtojë këtë fundjavë nga jugu i vendit për në Tiranë e Durrës dhe anasjelltas duhet të mendohet mirë pasi do të përballet me një tmerr të vërtetë të shkaktuar nga trafiku në zonën e Plepave. Dita e djeshme është kthyer në mankth për qindra shoferë makinash, të cilët kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në aksin Plepa-Golem ku është duke u rikonstruktuar rruga. Firma që po kryen rikonstruksionin duhet të kishte përfunduar punimet më një qershor por kjo gjë nuk ka ndodhur ende. Situata e rënë për sa i takon turistëve është raportuar edhe në Vlorë. Gjatë gjithë ditës së djeshme, qyteti ka vuajtur nga mungesat e shpeshta të energjisë elektrike. Pushues të shumtë kanë pohuar se dritat ndërpriten çdo 15 minuta duke e bërë situatën të padurueshme.
Situata e bllokimeve ka nisur që në orët e paradites teksa temperatura ishte rreth 40 gradë. Qindra makina nuk kanë pasur asnjë mundësi tjetër përveçse të presin në radhë me shpresën se rruga do të zhbllokohet. Shoferi i autobusit të linjës urbane pohoi në orën 20.00 se vetëm rrugën e parë ka kryer normal ndërsa të tjerat kanë zgjatur me orë të tëra. Bllokimi i rrugës së Plepave ka sjellë edhe bllokimin e rrugës së plazhit si dhe është krijuar një situatë kaotike në të gjitha akset e tjera rrugore. Lëvizja kaotike e mjeteve që përpiqeshin me iniciativa individuale për të gjetur shteg ikje nga ferri i rrugës së bllokuar ka përkeqësuar edhe më shumë situatën. Gjatë rrugës shihen edhe karambole të shumta. Në afërsi te rezidencës qeveritare ka ndodhur një karambol i pesëfishtë dhe në ato momente kur kishte rënë muzgu, kishin nisur punë për të ngarkuar mjetet në karrotrecë.
Një ndër shoferët që është detyruar që të kaloje në trafik rreth tre orë e gjysmë, Fatos Alla, nga Tirana, tregon se me këtë tmerr që ka parë do mendohet mirë përpara se të marrë sërish të njëjtën rrugë. Ai ishte nisur drejt Golemit dhe shprehet i lumtur që të paktën kishte makinën me kondicioner. Një shtetase maqedonase e kombësisë shqiptare që kishte me vete tre fëmije, Nexhmije Barusha, thotë e revoltuar "më mbetën fëmijët pa ujë se nuk kishim ku të merrnim pasi rruga ishte bërë një ferr i vërtetë". Pyetjes se sa do te rrinin ne plazh ajo iu përgjigj se nesër do të niseshin për në Mal të Zi, pasi nuk mund të durojnë më kaosin e rrugëve shqiptare.
Të vetmit që kanë mundur që të gjejnë "shpëtim" nga ky kaos rrugor ishin banorët e Durrësit. Autobusi i linjës e ka parë të pamundur për të vazhduar rrugën dhe është kthyer mbrapsht ndërsa një pjesë e madhe njerëzish kanë dalë nga makinat dhe kanë nisur marshimin në këmbë drejt qytetit. Në makina kanë qëndruar vetëm shoferët që nuk dihet se kur do të kthehen.