Zbulohen dy mijë rrënjë hashash, dy në pranga
Kushërinjtë Hasneziri kishin mbjellë lëndën narkotike në një parcelë me misër. Në shtëpi iu gjendet arsenal armësh
KRUJË - Policia e Krujës ka zbuluar rreth dy mijë rrënjë hashash dhe një arsenal me armë në fshatin Gërnac të Kurbinit si dhe ka arrestuar dy personat përgjegjës. Lënda narkotike u zbulua fillimisht në parcelën e shtetasit Ahmet Hasneziraj, i cili e kishte mbjellë atë në të njëjtën parcelë ku kishte mbjellë edhe misër dhe kjo mendohet është kryer për të mbuluar gjurmët. Pas zbulimit të hashashit, kontrollet janë zhvendosur edhe në disa parcela të tjera.
Gjatë kontrolleve të ushtruara u zbulua dhe u sekuestruan disa bimë të tjera e punuar dhe e thatë në parcelën e shtetasit Xhafer Hasneziraj. Identifikimi i sasisë së lëndës narkotike ka detyruar efektivat e luftës kundër krimit të organizuar që në bashkëpunim me forcat e komisariatit të Kurbinit të ushtrojnë kontrolle edhe në banesat e dy kushërinjve të cilëve iu zbulua lënda narkotike tipit Kanabis Sativa. Kontrollet kane zbuluar edhe një sasi armësh dhe municionesh luftarake në banesën e shtetasit Xhafer Hasneziraj.
Tre pushkë dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh janë gjetur në banesën e Xhafer Hasneziraj, i cili së bashku me kushëririn e tij Ahmet Hasneziraj janë ndaluar nën akuzën e prodhimit të bimëve narkotike dhe posedimit të armëve dhe municioneve luftarake.
Sipas burimeve të policisë, zbulimi i bimëve narkotike ka ardhur pas dyshimeve që kishin krijuar dy shtetasit Hasneziraj, duke bërë që strukturat e krimit të organizuar të zhvillonin një operacion policor, që solli edhe asgjësimin e sasisë së bimëve narkotike. Po sipas burimeve policore, po zhvillohen hetime intensive për të zbuluar edhe bashkëpunëtorë të mundshëm dhe për të mësuar më pas destinacionin e lëndës narkotike.
E reja e kësaj dukurie është se tashmë gjeografia e mbjelljes së drogës ka kaluar nga zonat e afërta me kryeqytetin Tiranë nga ku kufizohej edhe me kufi ndarës si pjesa kufitare e rrethit të Krujës, Nikla, tashmë droga është gjendur edhe në një komune të thellë si ajo e Cudhisë e cila ndodhet pas malit të Krujës. Ajo është një komunë e largët e për të udhëtuar drejt saj duhet që të kalohet nga rruga e vështirë e Noes, gjë që u jep dorë kultivuesve që ta shohin vargun e mjeteve të policisë kur nisen drejt tyre dhe që mund t'i shmangen. Policia pohoi dje se për asgjësimin e drogës janë përdorur forcat speciale, të cilat janën isur drejt parcelave ende pa zbardhur dita.