Tartufin në Prishtinë nën regjinë e Rahim Burhanit
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat për realizimin e komedisë së famshme “Tartufi” të Molierit. Regjia e kësaj shfaqjeje i është besuar regjisorit të mirënjohur rom Rahim Burhan. Lajmin e bën të ditur Jeton Neziraj, drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Burhan është një regjisor me kontribut të çmuar në skenën evropiane dhe puna e tij është vlerësuar nga festivale të ndryshme teatri në Evropë. Në shfaqje janë angazhuar edhe skenografi i njohur turk Nurullah Tuncer, kostumografi nga Maqedonia Blagoja Micevski, dramaturgu kosovar Ilir Gjocaj, kompozitori Ilir Bajraj etj. Trupa e aktorëve përbëhet nga Bajrush Mjaku, Çun Lajçi, Igballe Qena, Blerta Syla, Mentor Zymberaj, Florentina Ademi, Bekim Guri, Shengyl Ismaili e Asllan Hasaj. Menaxher i shfaqjes është Avni Abazi, aktor dhe producent. Premiera e “Tartufit” pritet të jepet më 15 dhjetor.
Kjo shfaqje është pjesë e repertorit të rregullt të TKK-së. Financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Projekti është cilësuar si më ambiciozi i vitit që mendohet të kushtojë rreth 40.000 euro.