Tragjedi pas tragjedish, sepse ne politizohemi dhe harrojmë
Përshëndetje “Shekulli”. Më shqetëson fakti që edhe për tragjedinë e Gjirokastrës, ne mund të vazhdojmë të "kacafytemi" sipas bindjeve partiake.
Shoh që edhe kjo ngjarje po politizohet, dhe kur them “politizohet” nuk përjashtoj përgjegjësitë politike në situata të tilla, por këndvështrimin dhe (sh)përdorjen e ngjarjes, politikisht.
Dhe kjo, ashtu siç e vini edhe ju me të drejtë në dukje në editorialin për Gjirokastrën, fillon që nga fokusimi i vëmendjes tek vizitat e politikanëve në vendngjarje.
Këtë nuk e kuptoj shumë. Për çfarë arsyeje duhet të shkojë në vendngjarje gjithë qeveria apo gjithë opozita? Do t’i nuhasë njerëzit Berisha me Ramën poshtë gërmadhave?Për çfarë arsyeje pra, nuk ka besim qeveria jonë se do të bëhet kërkimi si duhet nëse nuk rri aty prezent kryeministri me kryetarin e opozitës? Apo janë mësuar t’i bëjnë gjërat sa për t’u dukur dhe me shkuarjen aty duan të kompensojnë për moszbatimin e ligjeve që çojne në këto aksidente dhe tragjedi? Apo për të parandaluar akuzat e rreme dhe bajate, me rastin e çdo vdekje në Shqipëri, apo çfarë?
I vetmi lajm që vlen të merret në analizë këtu, janë arrestimet. Në vend që të merremi me gjykime politike se kush e ka fajin deri sa të ndodhë një tragjedi tjetër, më mirë të ndjekim situatën nga arrestimet deri tek gjykimet dhe dënimet e këtyre njerëzve.
Sepse kënaqemi shpesh me arrestimet dhe për dënimin e fajtorëve, si gjithmonë, do të harrojmë të interesohemi (mos harrojmë këtu që edhe shumë të “dënuar” për korrupsion kanë dalë më shpejt se për një vjedhje celulari nga burgu – si zv.ministri i Transporteve etj., etj.).
Ndaj këmbëngul: Vetëm dënimi real i fajtorëve mund të bëhet mësim për të tjerët dhe të evitojë tragjeditë në të ardhmen. Zhurma politike, duke përdorur fatkeqësitë e njerëzve, "ngop" vetëm fanatikët.
Më mirë se debat mbi tragjeditë, do të qe mirë që të vendosnim një "zile zgjuese" për pas nja tre muajsh që të kërkojmë se kush u dënua për krimin e radhës (mua akoma s'më ka dalë e keqja e shkaktuar nga fakti i bredhjes në liri të atij hajdutit të kockave në Kosinë). Të gjithë ulëritëm ateherë, po askush nuk kërkoi një herë llogari pse ai nuk u dënua.)