Otello, arapi i Vlorës prezantohet para lexuesve vlonjat
Pas promovimit në Tiranë, Ben Blushi, prezanton romanin e tij të fundit në vendin ku zhvillohen ngjarjet e librit të tij. Ai sot prezanton para lexuesit vlonjat romanin e tij, Otello, arapi i Vlorës. Aktiviteti do të zhvillohet në orën 19.00 në ambientet e teatrit Petro Marko. Shkrimtari Ben Blushi vjen para lexuesit me romanin e dytë të tij Otello, Arapi i Vlorës plot një vit pas suksesit të pazakontë të librit të tij të parë Të jetosh në ishull, i cili theu rekordet gjysmëshekullore në tregun e librit shqip me mbi 20.000 kopje të shitura në dhjetë muaj.
Ngjarjet shtrihen në vitet 1300-1400 dhe zhvillohen në dy qendra urbane të njohura të kohës së Mesjetës, në Venedik dhe në Vlorë, marrëdhëniet politike e tregtare midis të cilave ishin mjaft intensive për kohën. Sfondi historik është real: Vlora e viteve para pushtimit turk dhe përpjekjet e kryezotit të saj, Balshës II, për të zgjeruar zotërimet e tij dhe për të përballuar vërshimin e turqve në Jug të vendit, vrasja e tij në fushën e betejës dhe drejtimi i principatës nga e shoqja, Komita Muzaka, aleanca me serbët nëpërmjet martesës së vajzës së saj, Rugina, me princin serb Mrkzha Zharkoviç, të cilin vlonjatët e pagëzuan Kasi, qëndrimi indiferent i Venedikut, si dhe i të gjitha principatave të tjera italike, duke e lënë të vetme Vlorën, si dhe gjithë Shqipërinë në përballjen me pushtuesit e rinj që vinin nga Azia e largët. Familja Contarini nga Venecia, pasardhës të Marko Polos nga babai dhe vlonjatë nga e ëma, plotësojnë kuadrin historik në anën tjetër të detit Adriatik, duke na nxitur imagjinatën për tablonë e jetës reale të kësaj zone mesdhetare para më shumë se gjashtëqind vjetësh, temë kjo mjaft e preferuar për autorin e librit. Por, gjetja më origjinale dhe intriga më e pabesueshme e autorit janë personazhet që gjallojnë në libër, të cilat ai i ka marrë nga Shekspiri, nga tragjedia e njohur Otello, Arapi i Venedikut, në të njëjtët role, por të vendosur në kohë gati 100 vjet më parë se tragjediani i njohur të kishte lindur. Otello, Desdemona, Emilia, Jago, Kasi etj., janë figura të njohura të letërsisë botërore, por që në këtë roman veprojnë jo vetëm në Venedik, por më shumë në Vlorë, në bashkëveprim me shumë figura interesante vlonjate të krijuara nga autori, si mjeku i famshëm Stefan Gjika, trimi lab Andrea, turku pushtues Hamiti etj. Romani i dytë i Ben Blushit është mbi të gjitha një roman mbi dashurinë.