Krimet e Rënda: Jo gjyq të shkurtuar për Arjan Selimin

Arjan Selimi
TIRANE Dy të pandehurit e dosjes kompas tek Krimet e Rënda, Arjan Selimi e Arjan Xhemali, të akuzuar për trafik të narkotikëve do të rigjykohen në një proces gjyqësor normal. Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dy ditë më parë kërkesën e të pandehurve për zhvillimin e një procesi gjyqësor me kohë të shkurtuar. Kërkesa për gjykim me kohë të shkuartuar ishte artikuluar nga mbrojtësit ligjore të të pandehurve, të cilët pretenduan zgjidhjen e dosjes në gjendjen në të cilën janë aktet. Ndërkohë, dy ditë më parë gjykata u shpreh negativisht në lidhje me këtë kërkesë. Referimi vendimit të ndërmjetëm të gjykatës, të gjitha provat e dosjes do të shqyrtohen një nga një në proces. Gjithashtu, pritet të thirren në proces edhe dëshmitarët që do të kërkohen nga palët. Arjan Xhemali (Shabani) dhe Arjan Selimi (Armand Andoni), janë dy nga tetë të pandehurit e procesit gjyqësor Kompas. Një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë vendosi në maj të vitit 2010 rigjykim e dy prej të pandehurve të dosjes Kompas. Sipas vendimit të gjykatës së Lartë gjatë shqyrtimit të dosjes në shkallët më të ulëta të gjyqësorit ishin konstatuar shkelje të shumta procedurale. Ndërkohë që për të bashkëpandehurit e tjerë të tyre u la në fuqi vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Sipas Gjykatës për Krimet e Rënda, të pandehurit e dosjes Kompas në bashkëpunim me njëri tjetrin kishin trafikuar drejt Italisë në vitet 1998-2002 sasi të shumta lëndësh narkotike.