E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia sjell në pranga të dënuarin për grabitje

Ekstradimi
Saimir Sulaj është dënuar me 15 vjet burg

Ekstradohet nga Greqia një i dënuar për grabitje me armë. Dje rreth orës 15.00, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana është kryer ekstradimi nga Athina e Greqisë drejt vendit tonë, i shtetasit Saimir Hetem Sulaj, 23 vjeç, lindur dhe banues në Fier. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin penal nr. 149, datë 24 prill 2008, e ka dënuar këtë person me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me armë”. Sipas të dhënave nga dosja penale, më datën 17 shtator 2006, rreth orës 19.00, në aksin rrugor Mallakastër-Tepelenë, në afërsi të fshatit Fratar, Saimir Sulaj, i pajisur me një armë që e mbante pa leje, ka ndaluar disa automjete dhe përmes kanosjes u ka grabitur drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve të tyre shuma të konsiderueshme parash dhe telefonat celularë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Athinën, në datën 24 gusht 2009, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Ky person, ditën e djeshme, u soll në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas dhe u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›