E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshati që u përmbyt i pari mbetet ende në ujë

SHKODëR/ Përmbytja numëron ditën e 23 në Obot. Uji shkatërron edhe rrugën e ndërtuar para një viti

Tashmë kur kanë kaluar 22 ditë nga përmbytjet e zonës së Nënshkodrës, në pjesën më të madhe të fshatrave të kësaj zone situata është normalizuar. Toka është tharë dhe banorët po kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Por ndryshe duket situata në fshatin Obot, i cili ende ndodhet nën ujë. Për të shkuar në fshat duhet të përdorësh automjete të larta, pasi niveli i ujit në rrugë është rreth 50 cm. Disa nga banorët për momentin po mendojnë vetëm për dëmet. Lush Pjetri, njëri prej tyre, na thotë: “Ajo që na intereson për momentin është dëmi i shkaktuar dhe dëmshpërblimi. Na është shkatërruar gjithçka, nuk di se çfarë do të bëhet me ne. Kërkojmë që tani t’i kthehemi jetës normale”. Ndërsa një pjesë tjetër e banorëve kanë mbetur në rrugë duke pritur ndonjë mjet të lartë për të kaluar, të tjerë u duhet të kalojnë në këmbë në mes të ujit. Një nga banorët e Obotit, Viçens Kola, shprehet: “Jemi fshati i parë që u përmbyt dhe sot jemi fshati i fundit që kemi ende ujë. M’u desh të ulem nga motori, pasi në rrugë ka 50 cm ujë dhe ende është e pakalueshme”. Ndërkohë, përveç dëmtimeve në banesa e në të mbjella, rruga e vetme e fshatit Obot ka pësuar dëmtime serioze. Rruga u ndërtua dhe u asfaltua para një viti dhe mbetet e vetmja që lidh zonën me pjesën tjetër të vendit. Por, një problem mjaft serioz për zonat e përmbytura mbetet ndotja mjedisore. Situata paraqitet mjaft problematike në lagjen “Livade” të Shkodrës, ku pas ikjes së ujit banorët nuk mund të hyjnë në shtëpi, për shkak të ndotjes së krijuar. Në këtë zonë, ujërat e bardha janë përzier me ato të zeza, duke ndotur ndjeshëm banesat. Ende banorët e kësaj lagjeje nuk janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre, për shkak të erës së keqe që ndihet nëpër të gjithë zonën.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›