Rama e Berisha joshin Metën
Aristir Lumezi
Negociatatorët e Edi Ramës dhe të Sali Berishës, për të joshur Metën, janë duke i intensifikuar përpjekjet e tyre. Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka qenë dje paradite në hotel ‘Rogner’, ku nuk kanë munguar kontaktet e shumta me njerëz që dërgohen sa nga njëri kamp, ashtu dhe nga kampi tjetër. Tani që rezultati zgjedhor është i qartë, 70 deputetë koalicioni i PD-së, 66 deputetë PS dhe 4 deputetë LSI, kanë nisur përpjekjet për krijimin e qeverisë së re. Kreu socialist, vetëm pasi e ka kuptuar se shumicën e mandateve e ka marrë koalicioni i djathtë, ka nisur emisarë dhe negociatorë, të cilët nga ana e tyre po mundohen duke shfrytëzuar njohjet e vjetra me kreun e LSI, ta bindin atë që të qëndrojë në krahun e socialistëve dhe të mos pranojë koalicionin me Sali Berishën. Kryeministri i vendit ka shprehur vullnetin e tij të plotë të njohë kërkesat konkrete që Ilir Meta ka për t’u përfshirë në kabinetin e tij qeveritar. Edhe nga ana tjetër, të dërguarit e Ramës kanë kërkuar ofertë konkrete politike nga Ilir Meta, për të qenë bashkë në betejën për të siguruar votat që do të bëjnë qeverinë. Numrat e ulët të arritura në zgjedhjet e 28 qershorit, kanë bërë që Rama të harrojë gjithçka kishte deklaruar para zgjedhjeve për “garantimin e qeverisjes vetëm me mandatet e koalicionit të PS” por dhe se “vota për LSI-në është votë për Sali Berishën”. Kërkesat tashmë janë bërë të hapura nga ana e të dërguarve të Ramës tek Ilir Meta, në mënyrë që negociatat të ulen në nivelin konkret, në mënyrë që ta largojnë atë nga oferta e Berishës. Duket se deklarata e dy ditëve më parë e deputetit të LSI-së, Dritan Prifti, i cili u shpreh se “nuk do të bashkojë votën e tij me Edi Ramën, por nëse do duhet, do t’ia japë atë Sali Berishës për të formuar qeverinë e re”, bëri që palët e interesuara të venë në lëvizje të gjithë të njohurit e tyre që mund të bindin Ilir Metën për bashkëpunim. Me qindra telefonata, por dhe mesazhe sms janë dërguar në celularin e Ilir Metës dy ditët e fundit, ndërkohë që ai është duke i vlerësuar të gjitha ofertat që palët i bëjnë. Por Edi Rama nuk është mjaftuar vetëm me negociatorët vendorë. Ai është vënë në lëvizje që pranë Ilir Metës të ndërhyjnë edhe përfaqësues të lartë të Internacionales Socialiste, me të cilët kreu i LSI-së mban kontakte të ngushta dhe miqësore. Ata po mundohen që edhe në emër të institucioneve ndërkombëtare të së majtës, LSI të qëndrojë në krah të PS-së dhe të mos afrohet në qeverisje me të djathtën e Sali Berishës. Pak ditë para zgjedhjeve, Ilir Meta ofroi një tryezë për të gjithë përfaqësuesit e së majtës, përmes së cilës krerët e partive të majta do të bashkërendonin përpjekjet dhe njerëzit për të maksimalizuar votat si e majtë, dhe pse në dy koalicione të ndryshme, por dhe do të ruanin votat gjatë gjithë procesit zgjedhor. Kreu i PS-së e injoroi këtë tryezë, bashkë me aleatët e tij të koalicionit, të cilët nga ana e tyre e cilësuan të vonuar në kohë atë. Ndërsa Edi Rama iu përgjigj Ilir Metës që e vetmja rrugë për të maksimalizuar votat e së majtës, është të votojë numrin 33 të fletës së votimit, Partinë Socialiste. Por situata paszgjedhore dhe rezultati përfundimtar i votimit ka sjellë në politikën shqiptare një realitet të ri, duke bërë LSI-në faktorin politik që do të përcaktojë formimin e qeverisë së ardhshme. Sipas nenit 96 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës do të thërrasë pas seancës së parë të Parlamentit, drejtuesin e koalicionit që ka fituar më shumë mandate në zgjedhjet e 28 qershorit.