E Shtunë, 31 Tetor 2026

I zbehet synimi

Dënimi, të cilin ia shqiptoi Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) Trepçës të mërkurën, mund të ndikojë seriozisht te kjo skuadër të mbesë duarthatë në këtë edicion të garave, edhe pse me përforcimet e bëra dhe me një organizim të ri në kryesi të klubit mitrovicasit synonin Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit.

Pas eliminimit në finale të Kupës së Kosovës nga Sigal Prishtina, Trepça tani mbetet në luftë vetëm për titullin e kampionit.

Por, tani gjelbër e zinjve u janë vështirësuar shumë gjasat ta fitojnë titullin e kampionit, pasi asnjë ndeshje të play-off-it nuk do të kenë të drejtë ta zhvillojnë në palestrën e tyre ‘Minatori’ në Mitrovicë.

Si pasojë e tensioneve të krijuara nga publiku mitrovicas në ndeshjen finale të Kupës ndërmjet Trepçës dhe Sigal Prishtinës, komisari i garave i FBK-së e ka dënuar Trepçën me gjashtë ndeshje moslojë në palestrën e saj ‘Minatori’.

Madje, ndeshjen e parë të play-off-it mitrovicasit përveç që do ta zhvillojnë jashtë qytetit të tyre, dyert e palestrës duhet të jenë të mbyllura për shikues. Trepça po ashtu është dënuar edhe me një total të hollash prej 1650 eurosh.

Trepça në gjysmëfinale të play-off-it do të takohet me Bashkimin, ndaj të cilit ekip mitrovicasit dy ndeshje duhet t’i zhvillojnë si vendas, kurse një si mysafirë. Skuadra që fiton në dy ndeshje nga përballjet Trepça – Bashkimi do të takohet në finale me fituesin e gjysmëfinales tjetër, Sigal Prishtina – Peja.

prandaj, drejtori i Trepçës, Besim Braha, është i vetëdijshëm se skuadra e tij pas këtij dënimi do ta ketë shumë vështirë ta arrijë synimin – titullin e kampionit.

“Normalisht që ky dënim i zbeh synimet tona, sepse nuk është njëjtë sikur të luash jashtë qytetit sikur të luash në palestrën tënde”, deklaroi Braha për Express.

Megjithatë, ish basketbollisti i kësaj skuadre thotë se ekipi i tij nuk do të heqë dorë nga titulli deri në fund.

“Megjithatë, duhet pajtuar me këtë dënim. Trepça do t’i mbajë të gjithë lojtarët deri në fund. Kemi basketbollistë cilësorë dhe profesionistë. Fillimisht duam të kalojmë në finale e pastaj të shohim. Nuk do të dorëzohemi deri në fund”, theksoi Braha.

Ndërsa basketbollisti i kësaj skuadre, Drilon Hajrizi shpreson që grupi i tifozëve mitrovicas, Torcida, ta përkrahë Trepçën edhe në ndeshjet e play-off-it, ani pse do të luajnë larg Mitrovicës.

“Tifozët mitrovicas e duan sportin dhe besoj se ata do të vijnë edhe në qytetet tjera për të na përkrahur, siç kanë bërë edhe në të kaluarën. Ndërsa ne po stërvitim shumë dhe shpresoj që ta shpërblejmë qytetin tonë me titullin e kampionit. Në ndeshjen finale të Kupës u pa se ne avancuam ndaj Prishtinës në tre çerekët e parë, por gabimet që i bëmë në atë ndeshje s’do t’i përsërisim më”, tha Hajrizi.

Trepça garat e rregullta kampionale i ka përfunduar, duke u radhitur në vendin e dytë të tabelës, dhe llogaritej si skuadër favorite për t’i fituar të dy trofetë këtë vit, bashkë me Sigal Prishtinën e Bashkimin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›