E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu bankar, sytë nga gjyqësori

Fullani: Paralizimi i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore të pronësisë dhe mosekzekutimi i kolateralit sjellin pengesë në dhënien e kredive nga sistemi bankar

Vonesat në zgjidhjen e problemeve të pronësisë nga ana e gjyqësorit kanë sjellë një ngërç në ekonominë e vendit, duke u reflektuar në kufizime të dhënies së kredive nga bankat e nivelit të dytë. Kjo është ajo çka guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është munduar të paraqesë dje në fjalën e tij drejtuar prokurorëve dhe avokatëve në një takim nën emërtimin “Tregu bankar dhe sistemi ligjor”. Sipas Fullanit, tregu bankar në Shqipëri nuk ka atë mbështetje që nevojitet për të funksionuar në parametra optimalë. “Mjafton të përmend paralizimin e titullit të pronësisë, tejzgjatjen e konflikteve gjyqësore të pronësisë dhe mosekzekutimin e kolateralit, që mendoj se ndikojnë drejtpërsëdrejti në përqindjen që kredia hipotekore në veçanti dhe kredia në tërësi zënë në krahasim me vendet e tjera. E gjithë kjo problematikë, ende e pazgjidhur ligjore, ka ndikuar drejtpërdrejt në shkurajimin e mbështetjes së ekonomisë me kredi bankare”, tha dje Fullani. Por, megjithatë, ai shtoi më tej se Banka e Shqipërisë me autoritetin e saj mbikëqyrës e detyron sistemin bankar të krijojë fonde rezervë për çdo një lek kredi të kërcënuar. “E vetmja gjë ku Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar ndjehen të pafuqishëm, ka të bëjë me mosekzekutimin e kolateralit, ka të bëjë me një lloj pamundësie de facto të disponimit të tij, sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme”, pohoi guvernatori i BSH-së.

Zgjidhja e problemeve

Sipas Fullanit, tregu bankar dhe ai financiar kështu nevojiten të ndërtohen dhe të zhvillohen paralelisht me sistemin ligjor. Këtë e mbështet edhe më tej në fjalën e tij gjatë takimit të djeshëm me përfaqësues të sistemit të drejtësisë, duke pohuar se “nuk mund të ketë transaksione financiare vendase apo ndërkufitare, nëse nuk ka siguri në ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave kontraktore”. Fullani tha më tej, se “vetëdija dhe ushtrimi i këtyre të drejtave, gjykimi i pavarur në rast mosmarrëveshjeje, koha e arsyeshme në zgjidhjen e konfliktit, eficienca dhe shpejtësia e ekzekutimit të vendimit gjyqësor janë garancitë më të mëdha jo vetëm për investitorët vendas dhe të huaj, por në radhë të parë për vetë tregun”.

Masat e marra nga BSH-ja

“Banka e Shqipërisë ka shtuar përpjekjet e saj në këtë drejtim, ku veçoi mbrojtjen përpara Gjykatës Kushtetuese të cilësimit të kontratave bankare dhe financiare si tituj ekzekutivë. Janë të njëjtat argumente që mbështesin ndryshimet ligjore në ekzekutimin e hipotekave dhe kolateraleve. Këto ndryshime aktualisht po diskutohen në Kuvend dhe po priten me shumë interes nga tregu”, tha gjatë ditës së djeshme guvernatori i BSH-së. Sipas tij, mbështetur në këtë filozofi të funksionimit dhe të rregullimit të tregut, duke besuar se tregu dhe e drejta janë dinamike, Banka e Shqipërisë ka furnizuar tregun bankar dhe të drejtën bankare me një institut të ri: me Marrëveshjen e Riblerjes. “Nëpërmjet ligjit për Marrëveshjen e Riblerjes dhe kontratës tip, Banka e Shqipërisë ka nisur një proces, i cili duhet të zhvillohet më tej nga specialistët përkatës të fushës. Personalisht dhe institucionalisht, jemi duke pritur që këto përpjekje të konkludohen me kryerjen e transaksioneve të para të këtij lloji”, përfundoi Fullani.

Aktiviteti

Për herë të parë ulen së bashku në një tryezë diskutimi gjyqtarë, prokurorë dhe juristë nga tregu bankar, për të diskutuar mbi tregun bankar dhe sistemin ligjor. Më konkretisht, në këtë takim marrin pjesë përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, juristë të bankave që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri, zyrtarë dhe ekspertë të institucioneve dhe agjencive publike që merren me legjislacionin bankar dhe kuadrin rregullativ, si Ministria e Financave, Prokuroria e Përgjithshme, Shkolla e Magjistraturës, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Autoriteti i Konkurrencës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Luftës kundër Pastrimit të Parave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›