E Shtunë, 31 Tetor 2026

ICO: Referendumi çon në izolim të veriut

Thirrjeve të Prishtinës e Beogradit zyrtar për heqje dorë nga referendumi të cilin serbët lokalë planifikojnë ta mbajnë nga mesi i muajit shkurt në veri të Kosovës iu bashkua edhe Zyra Civile Ndërkombëtare.
Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Kristian Palme, theksoi se referendumi i propozuar është një metodë që kthen gjërat prapa.

“Ne besojmë se referendumi i propozuar është një metodë që kthen gjërat prapa. Ai do të dëmtojë reputacionin e Serbisë dhe do ta dënojë me stagnim dhe izolim veriun e Kosovës dhe nga ai do të përfitojë vetëm udhëheqësit e vjetër të politikës. Sipas mendimit tonë, plani gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës-plani Ahtisaari, mbetet modeli më i mirë për një demokraci lokale legjitime e transparente në komunat në veri të Kosovës”, u shpreh Palme.
 

Ditë më parë, politikanët e pjesës veriore të Kosovës kanë vendosur që më 14 dhe 15 shkurt në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq të mbajnë një referendum përmes së cilit synojnë të qartësojnë vullnetin e serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në këtë pjesë të vendit.
 

Por, Palme tha se Qeveria e Kosovës duhet ta vazhdojë punën që, sipas tij, ka bërë përgjatë 18 muajve me qëllim integrimin e pjesës veriore.
 

Ai theksoi se në pjesën veriore të Kosovës, puna e Zyrës Civile Ndërkombëtare në bashkëpunim me qeverinë e vendit ka në fokus organizimin e zgjedhjeve, të cilat do të prodhonin rezultate legjitime, të cilat do të njiheshin ndërkombëtarisht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›