E Shtunë, 31 Tetor 2026

IEA: Do rritet çmimi i naftës

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë është shprehur se rritja e kostos në eksplorimet për naftë do të çojë në rritjen e çmimit të arit të zi. "Epoka e naftës së lirë mori fund dhe çmimet mund të arrijnë së shpejti sërish në 100 dollarë për fuci", deklaruan përfaqësues të energjisë në një raport për vitin 2008. Sipas parashikimeve, në vitin 2030 një fuçi naftë do të kapë shifrën e 200 dollarëve. Rreziku për furnizimin me karburant nuk vjen nga mungesa e vendburimeve, por e investimeve të nevojshme, që do të bëhen për të nxjerrë naftën nga vendet ku gjendet. Sipas llogaritjeve, do të duhen 26 trilionë dollarë për investime masive në infrastrukturën e energjisë deri në vitin 2030. Deklarata e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë vjen pasi çmimet e naftës në bursat botërore u ulën në shkallën më të ulët që nga fillimi i vitit 2007, si rezultat i frikës së një recesioni dhe uljes së shpenzimeve. Nafta e Detit të Veriut për dërgesën e dhjetorit në bursën e Londrës ra në 54,37 dollarë për fuci, që është çmimi më i ulët i brentit europian nga janari i vitit 2007. Ndërsa nafta e lehtë amerikane , gjithashtu për dërgesën e dhjetorit, ra në 57,90 dollarë për fuci, që është çmimi më i ulët nga marsi i vitit 2007.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›