Rusi, refuzon bashkëpunimin me SHBA-në
Rusia raportohet të ketë refuzuar propozimet për bashkëpunim të SHBA-së mbi sistemin mbrojtës raketor të Uashingtonit në Europë. Shtetet e Bashkuara i kanë dorëzuar Kremlinit zyrtar propozimin me qëllim që të zbusin shqetësimet e Rusisë se sistemi do të kërcënojë sigurinë e saj kombëtare. Agjencia e lajmeve Itar Tass ka cituar një burim të paidentifikuar të Kremlinit të ketë thënë se Rusia konsideron propozimin e SHBA-së si të pamjaftueshëm. Presidenti rus, Dimitri Medvedev deklaroi javën e kaluar se ai planifikon që të vendosë një sistem raketor afër Polonisë si kundërpërgjigje ndaj planit amerikan që të vendosë sistemin mbrojtës raketor në Poloni dhe Çeki. Refuzimi i propozimeve të Uashingtonit vjen në të njëjtën ditë kur Uilliam Burns, personi i tretë më i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, ishte në Moskë për të biseduar me ministrin e jashtëm Sergei Lavrov. Burns është zyrtari më i lartë amerikan që e viziton Rusinë, që nga lufta e gushtit mes kësaj të fundit dhe aleates së SHBA-së, Gjeorgjisë.