Miliona për fqinjët

Edhe gati dy vjet pas bërjes shtet, privilegjet për serbët dhe malazezët po vazhdojnë. Përderisa të gjithë shtetasit e huaj, në momentin kur hyjnë në Kosovë janë të detyruar të paguajnë policë kufitare, kjo nuk vlen për banorët e Serbisë dhe të Malit të Zi. Ata mund të hyjnë në Kosovë pa këtë dokument, ndërsa dëmet që mund të shkaktojnë mbulohen nga Fondi i Garancisë. Dëmet e këtilla, kompanive kosovare të sigurimit iu kushtojnë miliona euro. Në anën tjetër, kur kosovarët ia mësyjnë këtyre shteteve, përveç sigurimeve kufitare, detyrohen të paguajnë edhe taksë ekologjike.
Prej vitit 2002 e deri në përfundim të vitit 2009, automjetet me targa nga Serbia dhe Mali i Zi, kanë shkaktuar gjithsej 1168 aksidente dhe Fondi i Garancisë ka paguar 1,574,217 euro për ta. Ndërkaq, vetëm vitin 2009 janë shkaktuar 162 aksidente, kurse vlera e kompensimit është 146 mijë euro.
Kryetari i Bordit të Fondit të Garancisë se Kosovës (FGK), Ibrahim Kastrati, thotë se edhe pse rregullorja e UNMIK-ut për sigurimet nuk e ka përjashtuar asnjë qytetar nga obligimi për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, për shkaqe politike UNMIK-u nuk e ka aplikuar asnjëherë.
“Edhe sot e kësaj ditë ka mbetur çështje e pazgjidhur problematika e automjeteve nga Serbia dhe Mali i Zi që hyjnë në territorin e Kosovës dhe nuk i nënshtrohen sigurimit kufitar”, tha Kastrati. Sipas tij, hyrja në territorin e Kosovës pa mbulesë siguruese dhe shkaktimi i dëmeve, e obligon Fondin e Garancisë së Kosovës që të dëmtuarit t’i kompensojë.
Pos qytetarëve, të diskriminuar në konkurrencë janë edhe bizneset në Kosovë. Përderisa bizneset tona i kryejnë të gjitha obligimet kufitare, në rastet kur tregtojnë mallra me këto dy shtete, kjo nuk vlen edhe për bizneset fqinje kur hyjnë në Kosovë.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, thotë se Qeveria duhet ta rishikojë vendimin që e ka marrë më herët UNMIK-u dhe të nxirret një akt i cili i barazon të gjithë qytetarët.
“Vendimi është politik dhe buron nga Rezoluta 1244. Qeveria duhet ta rishqyrtojë këtë çështje, ashtu që të mos diskriminojë qytetarët dhe bizneset”, tha Shahini.
Sipas tij, nëse një qytetarë serb shkakton aksident në Kosovë, dhe është fajtor, atëherë vështirë se mund të bëhet kompensimi nga sigurimi i shtetit serb.
Në anën tjetër, Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se vendimi fatkeqësisht është ende i zbatueshëm dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës që sa më parë të bëjë diçka në ketë drejtim. Ai thotë se është diskriminuese që qytetarët tanë të paguajnë, ndërsa të njëjtën nuk e bëjnë serbet dhe malazezët.
“Kjo e rrezikon bonitetin e kompanive të sigurimeve dhe e dëmton në masë të madhe tregun e sigurimeve”, tha Rukiqi.
Ndërkaq Qeveria e Kosovës pret t’i japë fund këtij problemi, në momentin kur do të merret një vendim për targat e reja të Kosovës. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, ka thënë për “Express” se ky problem zgjidhet paralelisht me vendimin për targat e reja.
“Gjatë këtij viti në qarkullim në tërë territorin e Kosovës do të jenë vetëm targat zyrtare të Kosovës dhe ky problem do të zgjidhet”, tha Krasniqi.
Ndonëse qytetarët malazezë hyjnë në Kosovë si në “bahçe të babës”, kur kosovarët ia mësyjnë këtij shteti, përveç sigurimit kufitar, janë të detyruar të paguajnë edhe taksen ekologjike.