Çmimet e konsumit vazhdojnë të jenë të papërballueshme

Krahas pagës mesatare që marrin kosovarët nga 150 deri 200 euro në muaj, çmimet e konsumit apo shportës familjare edhe në fillim të këtij viti vazhdojnë të jenë të larta dhe për shumë familje të papërballueshme, kur dihet se shkalla e varfërisë dhe papunësisë është ndër më të lartat në Evropë.
Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë, është më i lartë për 0,6 për qind në muajin dhjetor 2009 krahasuar me muajin nëntor 2009, derisa shkalla e inflacionit e matur në dhjetor 2009 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak ishte 0,1 për qind.
Çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 0,6 për qind në muajin dhjetor 2009 krahasuar me nëntorin 2009, ngritje e çmimeve sipas raportit të ESK-së, vërehet te perimet për 11,3 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 1 për qind.
Po sipas këtij publikimi, çmimet ndërmjet dhjetorit 2009 me dhjetorin e 2008 çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 0.1 për qind në muajin dhjetor 2009 krahasuar me muajin dhjetor 2008 e cila ngritje vërehet te perimet për 10,2 për qind, rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera 6,7 për qind, që secila me një ndikim prej 0,5 për qind, sheqeri, reçeli, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsirat 11,8 për qind, përdorimi i pajisjeve për transportin personal 7,6 për qind, furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin 17,2 për qind, duhani 1,6 për qind, arsimi 5,1 për qind, sigurimet 15,5 për qind.
Gjithashtu rënie e çmimeve vërehet te buka dhe drithërat për -7,1 për qind me një ndikim prej -0,7 për qind, qumështi,djathi dhe vezët -5,7 për qind, vajrat dhe yndyrat -13,9 për qind, prodhimet e mishit -0,7 për qind, këpucët -5,4 për qind, shërbimet për transport -6,5 për qind, pajisjet, shërbimet telefonike dhe të telefaksit -2,1 për qind, shërbimet hoteliere -2,8 për qind.
Kryetari i Organizatës Jo Qeveritare “Konsumatori” Selatin Kaçaniku, tha për Kosovapress se një familje mesatare në Kosovë mund të përballojë muajin varësisht se sa është e aftë të sakrifikojë dhe sa është e aftë të ekonomizojë, sepse me një rrogë mesatare, 150 deri në 200 euro një familje katër apo gjashtë anëtarësh, e ka të pamundur të plotësojë nevojat e saja mujore.
“Në çmimet e shportës, nëse ju intereson kjo, ndikon shumë cilësia dhe sasia e artikujve ushqimor që marrin pjesë në atë shportë e që nuk hulumtohet nga Enti Statistikor, sepse Enti Statistikor e ka për detyrë t’i krahasojë çmimet, ndërsa ne i krahasojmë ato çmime në raport me cilësinë dhe në raport me sasinë. Kur i krahasojmë këto çmime në raport me cilësinë dhe në raport me sasinë që ofrohet si kompensim ose si kundërshpërblim për atë çmim del se ato çmime janë gjithmonë në luhatje, fatkeqësisht, gjithmonë në rritje dhe gjithmonë e pëson i fundit, e pëson konsumatori, i cili për cilësinë më të ulët dhe për peshë më të vogël paguan çmim më të lartë”, tha ai.
Çmimet e konsumit janë shumë më të larta krahasuar me vendet e Evropës, pasi sipas Kaçanikut, në Kosovë ka shumë pak prodhim dhe më tepër import.
“Nëse e krahasojmë me të ardhurat personale, në Kosovë çmimet janë të pakrahasueshme, sepse në Kosovë kryesisht mbretërojnë çmimet me ato që janë në Evropë, sepse ndikohen nga evropianët, sepse ndikohen nga importi. Ne asgjë nuk prodhojmë, shumë pak prodhojmë dhe të gjitha i importojmë, i importojmë me çmime botërore. Imagjinojeni real një pagë mesatare po e zëmë mos të karikojë tepër 1500 euro, po e zëmë në Austri, Gjermani e të tjera, me një pagë mesatare 150 euro. Do me thënë, raporti është 1 me 10, dhe kjo është e papërballueshme, dhe mendoj se institucionet tona duhet të intervenojnë, duhet ta shprehin një kujdes më të theksuar për konsumatorin”, tha Kaçaniku.
Shefki Cakaj, qytetar i Prizrenit, ka banesën e tij në Prishtinë me katër studentë dhe për çdo muaj për ushqim, veshmbathje duke përfshirë edhe ujin rrymën dhe shpenzimet e tjera të nevojshme për ta shpenzon rreth 600 euro në muaj. Ai tha se për të çmimet në Prishtinë nuk janë të lartë por të arsyeshme në krahasim me vendet e tjera.
“Për katër student këtu mesatarisht, unë i harxhoj 600 euro, me ujë me rrymë, me të gjitha shpenzimet e tjera”, tha ai.
Sipas Indeksit të Çmimeve të Konsumit për muajin dhjetor të 2009, të publikuar nga Enti i Statistikave të Kosovës, çmimi i orizit gjatë dhjetorit të 2009-së për 1 kg, ishte 1.33 euro, ndërkaq në këtë muaj të 2010-së, çmimi i orizit ka shënuar rënie në 1.10 euro, miell gruri 1 kg në dhjetorin e 2009-së ishte 0.28 cent, në janar 2010 ky çmimi sillet rreth 0.30 deri në 0.50 cent. Një rënie është vërejtur edhe në çmimin e bukës ku nga 0.30 euro ka rënë në 0.25 euro, mish gjedhi pa eshtra gjatë muajit dhjetor 1 kg kishte çmimin e 5.57 euro, në janar çmimi i këtij mishi është ngritur në 6 deri në 7.50 euro.
Mishi pulës gjithashtu ka shënuar një ngritje të çmimit për kg, nga 2.26 sa ka qenë në dhjetor tash është 2.92 euro, qumësht 1 litërsh nuk ka pësuar ndonjë ndryshim në çmim dhe mesatarja e çmimit të qumështit mbetet po e njëjta si edhe muaji më parë, rreth 0.84 cent. Jogurti një litërsh nga 1.00 euro sa ka qenë tani është 0.60 deri në 0.80 cent, 30 copë vezë nga 2.36 euro sa ka qenë në dhjetor tash në janar kushtojnë 2.29 euro. Një litër vaj ushqimor nga 1.06, në 0.99 deri në 1.30 euro, çmimi i bananeve për kilogram nga 0.90 sa ishte në këtë muaj është 0.85, patate 1 kg 0.33 euro këtë muaj çmimi i tyre sillet rreth 0.30 deri në 0.50 cent, domate për kilogram kishin çmimin 0.97, gjatë këtij janari ky çmim është ngritur në 1.50 euro,. Një kg fasule nga 2.03 euro sa ishte në dhjetor, tash kushton nga 1.80 deri 2.00 euro. Një kg speca pa djegës gjatë dhjetorit 2009 ka kushtuar 1.37 euro, ndërsa tash kushton 1.45, 1 kg sheqer është shtrenjtuar nga 0.63 në 0.70 cent, 1 kg kafe në dhjetor kushtonte 5.10 euro, në janar ky çmim është 4.99, 1 kg çaj nga 3.89 euro është shtrenjtuar në 3.99, uji mineral, 1.5 litër, nga çmimi 0.38 cent është ulur në 0.30-0.35 cent, një pako cigare “Ronhill” nga 0.89 cent sa ka kushtuar në dhjetor tash kushton 90 cent, ndërkaq çmimi i rrymës elektrike për 1 kilovat është 0.059, dru për djegie 1 metër kub 33.37 euro, një litër benzinë 0.98, si dhe dizel për 1 litër 0.94 euro.