ILDKP: Kontrolluam pasurinë e kryeministrit Sali Berisha dhe rezultoi pa probleme

Reagon Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive bën të ditur se ka zhvilluar disa procedura kontrolli për deklaratat e pasurisë së kryeministrit të Shqipërisë, të ministrave dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, të cilat kanë rezultuar pa probleme. “Nisur nga interesi publik mbi kontrollin e interesave private të subjektit me funksion kryeministër, Sali Berisha dhe personave të lidhur me të, ILDKP bën me dije se ndaj subjektit janë zhvilluar disa procedura kontrolli të plotë, në përfundim të të cilëve kanë rezultuar pa probleme. Aktualisht, ILDKP po zhvillon procedure e kontrollit të plotë për vetë-deklarimin e pasurisë për vitin 2010 dhe 2011 të subjektit me funksion kryeministër”, thuhet në njoftimin e ILDKP-së.
Ky reagim zyrtar i ILDKP vjen edhe pas akuzave të Partisë Socialiste në drejtim të kryeministrit Berisha dhe familjarëve të tij. Aktualisht, ILDKP bën të ditur se po zhvillon procedurën e kontrollit të plotë për vetë-deklarimin e pasurisë për vitin 2010 dhe 2011 të kryeministrit Berisha. “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) po zhvillon aktualisht kontrollin e plotë mbi deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, të ministrave dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, si edhe ndaj ‘personave të lidhur’ me ta. Kontrolli ka nisur në muajin Tetor 2012 për shkak të funksionit, bazuar në nenin 17/2 të ligjit nr. 9367, datë 07. 04. 2005 ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’. Aktualisht, me amendimet e fundit ligjore, të cilat kanë hyrë në fuqi më 26 Tetor 2012, ky detyrim përcaktohet në nenin 25/1 të ligjit nr. 9049, datë 10. 04. 2003 ‘Për deklarimin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë’, i ndryshuar”, thuhet në njoftimin e ILDKP-së. “ILDKP, krahas hetimit administrativ që kryen në bazë të ligjit, fton të gjithë qytetarët që kanë informacione mbi pasuritë e zyrtarëve të kabinetit qeveritar, të ofrojnë të dhëna konkrete që do të ndihmojnë në zhvillimin e një hetimi më të plotë mbi pasuritë dhe burimin e krijimit të tyre”, përfundon njoftimi.