E Diel, 1 Nëntor 2026

ILDKP: Po hetojmë zyrtarët me pasuri jashtë vendit

08/12/2011  Kryeinspektori i ILDKP-së kërkon bashkëpunimin e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë

OSBE, Volfart: Imuniteti i zyrtarëve pengesë serioze në luftën kundër korrupsionit

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është në pritje të rezultateve të hetimit për disa zyrtarë, që janë në shënjestrën e ILDKP-së për fshehje të pasurive të dyshuara jashtë vendit. Kjo është konfirmuar dje nga vetë kryeinspektori i përgjithshëm i ILDKP-së Adriatik Llalla pas një diskutimi të hapur me studentët e Juridikut lidhur me parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit në arsimin e lartë. Llalla theksoi se hetimet për fshehjen e pasurisë janë shtrirë në vendet e rajonit. “Inspektorati ka në hetim disa raste të zyrtarëve, që janë nën kontroll për pasuri të dyshuara jashtë vendit. Jemi në pritje të informacioneve që kemi për këto raste. Po hetojmë disa raste, kryesisht në shtetet e rajonit, në Evropë, po kryesisht vende rreth Shqipërisë”, - deklaroi dje Llalla. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive gjeti mirëkuptimin e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë për krijimin e grupeve të përbashkëta për evidentimin, parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit në arsimin e lartë, si dhe për të dhënë një kontribut real në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Imuniteti i zyrtarëve

Në diskutimin e hapur “Studentët - aktivë në luftën kundër korrupsionit”, të zhvilluar dje me mbështetjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimit Evropian në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ishte i pranishëm dhe kreu i OSBE-së në Tiranë Eugen Volfart. Ambasadori Volfart në fjalën e tij deklaroi se imuniteti i zyrtarëve është një pengesë serioze në luftën kundër korrupsionit në vend. Sipas tij, “kufizimi i imunitetit do të sillte një hetim më efikas për të gjithë zyrtarët që janë përfshirë në korrupsion”. Ndër të tjera ai kërkoi bashkëpunim mes palëve në luftën kundër korrupsionit, pasi qeveria nuk mund ta luftojë e vetme këtë fenomen. Kreu i OSBE-së në Tiranë theksoi se vendi ka një bazë ligjore të mirë, por ligjet jo gjithnjë janë zbatuar. Ndërsa inspektori i përgjithshëm i ILDKP-së, Adriatik Llalla, preku disa nga çështjet themelore të korrupsionit në Shqipëri. Duke e konsideruar korrupsionin një sfidë të rëndësishme, por jo të pamundur, kreu i ILDKP-së nxiti studentët e drejtësisë që sot dhe në të ardhmen të jenë aktivë në çështjet kundër abuzimit me pushtetin publik, që përbëjnë thelbin e qeverisjes së mirë të një vendi. “Ju studentët e drejtësisë, si prokurorët dhe gjyqtarët e së nesërmes, duhet të jeni të aftë të përmirësoni sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Vetëm me ndershmëri dhe korrektesë do të jeni në gjendje të vini drejtësi në sistemin e drejtësisë”, - theksoi Llalla. Gjithashtu një element i rëndësishëm i diskutimit ishte korrupsioni në arsimin e lartë, për të cilin inspektori i përgjithshëm i ILDKP-së theksoi se institucioni ka qenë aktiv në ndëshkimin e zyrtarëve abuzues në sistemin arsimor, sidomos atë universitar. “Në disa raste janë marrë masa shtrënguese për pedagogë që shfrytëzojnë pozicionin e tyre për përfitime personale. Por jemi të bindur se nuk është goditur thelbi i këtij problemi”, - u shpreh kreu i ILDKP-së, duke shtuar se zgjidhja është shumë e thjeshtë. “Nëse secili prej nesh bën mirë atë që mendon se është e drejtë për të ardhmen e vendit, jemi të sigurt se do të ndihmojmë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë”, - përfundoi fjalën e tij Adriatik Lalla.

Avokati i Popullit

Ambasadori i OSBE-së komentoi dje situatën politike në Shqipëri. “Situata e pastabilizuar e 21 janarit tashmë ka kaluar, ne ofruam kontribut për përmirësimin e saj, mbështetëm opozitën dhe maxhorancën. Bojkoti i kushtoi Shqipërisë 2 vjet, por situata tani është normale e parlamenti po funksionon. Parlamenti duhet të votojë ligjet me 3/5, të punojë për reformën zgjedhore. Është me rëndësi edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit”, - u shpreh Volfart.

Forcimi i ndëshkimeve

Kreu i OSBE-së në Tiranë, duke u ndalur në imunitetin e zyrtarëve të lartë, këshilloi një “politikë më të ashpër dënimesh për korrupsionin”. Ai kërkoi më tej angazhimin e medies dhe shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit, pasi qeveria nuk mund ta luftojë e vetme këtë fenomen. Gjithashtu Volfart kërkoi që “në administratë të garantohet punësim i drejtë dhe administrata të jetë etike e profesionale”.

Korrupsioni në arsimin e lartë

“Në disa raste janë marrë masa shtrënguese për pedagogë që shfrytëzojnë pozicionin e tyre për përfitime personale, por jemi të bindur se nuk është goditur thelbi i këtij problemi. Zgjidhja është shumë e thjeshtë. Nëse secili prej nesh bën mirë atë që mendon se është e drejtë për të ardhmen e vendit, të jeni të sigurt se do të ndihmojmë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë”, - iu drejtua dje kreu i ILDKP-së studentëve të Juridikut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›