ILDKP hedh sot shortin, hetim pasurisë së dy ministrave
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka hedhur shortin për 192 zyrtarë të cilëve do t`u hetohet pasuria nga ky institucion. Sipas shortit të hedhur sot janë përzgjedhur zyrtarë të lartë si ministra, deputetë e tituallë të rëndësishëm të institucioneve qëndrore.
Kështu ILDKP-ja do të kontrollojë pasurinë e ministrit të mbrojtjes Arben Imami, ministrit të mjedisit Fatmir Mediu dhe Zv.ministres së drejtësisë Brikena Kasmi. Gjithashtu ILDKP-ja do të kontrollojë pasurinë edhe të deputetëve të Partisë Demokratike Igli Cara, Kreshnik Çipi, Ledina Aliolli, Fatos Beja si dhe deputetëve socialist Qemal Minxhozi dhe Arben Malaj. Gjithashtu dy nga zyrtarët e tjerë të cilët do t`u kontrollohen pasuritë janë Besjan Pesha dhe Klement Zguri .
Shorti i cili është hedhur sot ka pasur një specifikë të veçantë, pasi subjektet që janë përfshirë në këtë procedurë, të cilët në total janë 4630 zyrtarë, janë ndarë në 7 kategori të ndryshme në bazë të funksionit apo institucionit, dhe prej secilës kategori janë përzgjidhur edhe 4 përqind e tyre.
Ja si është bërë ndarja e përzgjedhjes:
1. Gjyqtarë dhe Prokurorë janë përzgjedhur 29 subjekte
2. Deputetë dhe drejtues të institucioneve kushtetuese janë përzgjedhur 6 subjekte
3. Drejtorë të përgjithshëm dhe nëpunës të nivelit të lartë janë përzgjedhur 9 subjekte
4. Ministra dhe zv.ministra janë përzgjedhur 3 subjekte
5. Nëpunës civilë të nivelit të mesëm janë përzgjedhur 55 subjekte
6. Drejtues të pushtetit lokal janë përzgjidhur 17 subjekte
7. Administrata tatimore dhe doganore janë përzgjidhur 73 subjekte
Kështu në shortin e hedhur sot, ILDKP-ja ka përzgjedhur në total 192 subjekte të të gjitha niveleve.