E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILO Bota perballet me sfide ugjente

Në raportin vjetor të saj, Organizata Ndërkombëtare e Punës ka publikuar tendencat botërore të punësimit. Në raport vihet re një përkeqësim i parashikimeve në tregun e punës. Organizata e ka vlerësuar situatën si një “sfidë urgjente” dhe ka deklaruar se qeveritë duhet të krijojnë 600 milionë vende pune në dekadën e ardhshme, në mënyrë që të arrihet një rritje e qëndrueshme dhe kohezion social. "Pas tre vitesh në kushtet e krizës së vazhdueshme në tregun global të punës dhe nën perspektivën e një përkeqësimi të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik, në nivel botëror ekziston një numër prej 200 milionë të papunësh", thuhet në raportin e titulluar "Tendencat Botërore të Punësimit 2012: parandalimi i një krize të thellë punësimi". Një tjetër pikë e rëndësishme është zbulimi se krijimi i vendeve të punës vitin e kaluar ishte shtyrë dhe nxitur nga kushtet e mira ekonomike në vendet në zhvillim në Amerikën Latine dhe Azinë Lindore. Raporti thotë se rimëkëmbja, e cila nisi në vitin 2009, ka qenë jetëshkurtër dhe se ende ekzistojnë 27 milionë punëtorë të papunë më shumë se sa në fillimet e krizës. Të rinjtë vazhdojnë të jenë midis grupeve më të prekura nga kriza e punësimit. Raporti thekson po ashtu se, ekzistojnë pak shpresa për një përmirësim thelbësor të perspektivës së tyre afatshkurtër të punësimit.
Organizata iu referua tre viteve të fundit të krizës ekonomike që ka ndikuar në tregun e punës, si arsyeja kryesore për përkeqësimin e situatës.
“Parashikimi ynë është bërë më pesimist se vitin e kaluar, me mundësi për një ngadalësim serioz të kuotës së rritjes ekonomike”, deklaroi ekonomisti i ONP-së, Ekkehard Ernst. Raporti bën thirrje për masa që synojnë të mbështesin rritjen e punësimit në ekonominë reale dhe paralajmëron se vetëm masat mbështetëse publike nuk do të jenë të mjaftueshme për nxitjen e rimëkëmbjes së qëndrueshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›