Kapllani titullar, Lala në stol
Sulmuesi shqiptar, Edmond Kapllani do të luajë titullar në ndeshjen e rëndësishme të Karlsruhes, kundër Arminias së Bielefeldit. “Ne kemi nevojë për një lojtar me cilësi të mira në gjuajtjet me kokë”, tha trajneri i Karlsruhes, Edmund Beker, për mediat gjermane, duke konfirmuar sulmuesin shqiptar si titullar. Ndërkohë, një lajm i mirë për kombëtaren është pa dyshim rikthimi i kapitenit Altin Lala, i cili pas riaftësimit dhe aktivizimit me ekipin e dytë të Hanoverit, do të jetë i grumbulluar për ndeshjen kundër Borusias së Dortmundit. Nëse “veterani” arrin të aktivizohet në dy javët e ardhshme, atëherë pritet të jetë i gatshëm edhe për kombëtaren.