E Shtunë, 31 Tetor 2026

IMB:Dogana evidencon se çka hyn e del nga vendi

Grupi teknik përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, i kryesuar nga Fisnik Rexhepi i MPB-së, drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, mbajtën një konferencë me gazetarë menjëherë pas kthimit nga Brukseli.
“Ne si delegacion kemi ngritur shqetësimin për pengesat që vite me radhe autoritetet e Serbinë iu kanë shkaktuar operatorëve të biznesit të Kosovës për të importuar përmes Serbisë dhe për të eksportuar nga Kosova në Serbi, për shkak se pala serbe nuk i ka respektuar dokumentet e lëshuara nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit. Pas diskutimeve që kemi pasur, BE-ja si ndërmjetës ka kërkuar nga autoritetet e Serbisë për të ndryshuar rregullativën e vet ligjore dhe për të mundësuar bizneseve kosovare që të importojnë dhe eksportojnë produkte në dhe përmes territorit të Serbisë në Kosovë. Ne presim që në muajin janar të kemi progres të prekshëm në këtë drejtim”, tha Fisnik Rexhepi.
Ai tregoi se pos tjerash është biseduar për përgatitjet që janë bërë për zbatimin e marrëveshjes së IBM-së edhe në pikat kufitare në Bërnjak dhe Dheu i Bardhë.
“Presim që marrëveshja të fillojë të zbatohet edhe në këto dy pika nga 31 dhjetori i këtij viti. Kemi caktuar edhe si datë për fillimin e zbatimit të marrëveshjes edhe në dy pika të tjera të mbetura në Mutivodë dhe Muqibabë dhe data e përcaktuar është me 28 shkurt 2013”, tha Rexhepi.

Drejtori I Doganave, Naim Huruglica tha se në këtë takim realisht nuk ka ndryshuar asgjë prej asaj është që është filluar të zbatohet më 10 dhjetor në vendkalimin Jarninjë. Dogana e Kosovës është në atë vendkalim kufitar, siç është në Merdare, raporton koha.
“Ajo që po bëjmë ne është se po mbajmë evidencë se çka po hyn në Kosovë dhe po i udhëzojmë të gjitha kompanitë që të shkojnë në terminalin doganor në Mitrovicë. Një pjesë e madhe e atyre mallrave po vijnë, një pjesë nuk po vijnë, nuk është një sekret, por ato që nuk po vijnë janë kryesisht furnizime ushqimore në vlera të ulëta që shkojnë për popullatën në Leposaviq, Zveçan apo komuna tjera”, tha Huruglica. Sipas tij, në këto raste kryesisht kemi të bëjmë me bukë, qumësht, ushqime të tjera ditore me të cilat kjo zonë zakonisht furnizohet prej qyteteve të afërta fqinjë në Serbi. Edhe ata në realitet nuk janë liruar prej taksave, por ne kemi treguar një dozë fleksibiliteti, sepse nuk kemi shkuar në implementim strikt të detyrimeve, në mënyrë që ta bllokojmë këtë zonë të furnizohet me ushqime.
Doganierët do të vazhdojnë të bëjnë punën e vet, do të kontrollojnë mallrat, do të mbajnë evidencë se çka është hynë dhe del dhe kjo do të vazhdohet deri më datën 10 janar të vitit 2013. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›