E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike nën 4 %

Parashikimet për vitin 2012 janë që rritja reale ekonomike të jetë nën 4 për qind, krahasuar me 4.5 për qind në vitin 2011. Faktorët kryesorë në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik janë rënia e nivelit të eksporteve, rënia e investimeve të huaja direkte, si dhe dërgesave të emigrantëve. Ky fakt del nga raporti më i ri që ka nxjerrë Banka Qendrore e Kosovës, për Stabilitetin financiarë në vend.

Sipas raportit, ngadalësimi i rritjes së kreditimit për sektorin privat ka ndikuar gjithashtu në rënien e kërkesës për konsum dhe investime, ndërsa rritja e shpenzimeve dhe investimet e vazhdueshme të sektorit publik kanë pasur efekt pozitiv në rritjen ekonomike.

Ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet me probleme strukturore që reflektohen në bilanc tregtar negativ si rezultat i nivelit të lartë të importeve kundrejt eksporteve.

“Niveli lartë i deficitit tregtar vazhdon të kontribuojë në nivel të lartë të deficit të llogarisë rrjedhëse, që pjesërisht zbutet falë transfereve rrjedhëse. Megjithatë, në gjysmën e parë të vitit 2012, dërgesat e emigrantëve shënuan rënie të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”,thuhet në raport.

Po ashtu, është evidentuar se, rënie mjaft të theksuar gjatë kësaj periudhe shënuan investimet e Huaja Direkte (IHD), të cilat u zvogëluan për 53.3 për qind, duke ndikuar negativisht në bilancin e llogarisë financiare. E, për dallim nga viti 2011, , sipas raportit, çmimet gjatë gjysmës së parë të vitit 2012 u rritën më ngadalë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›