E Shtunë, 31 Tetor 2026

INDIVIDI DHE MEKATI KOLEKTIV

Perceptimi se individi është në themel të shoqërisë, është iluzion. Shoqëria, ajo në formën e saj më të plotë, është në themel të shoqërisë, asaj që individi pëson, nëpërmjet rezultantes së përfaqësimit dhe lidhjes së kësaj me shumicën. Shumica, nga ana tjetër, nuk është rreshtim i individëve, por dominantja e aspiratave, e klonuar nëpër individë, në formën e praktikave historike, kolektive dhe konvencionale të ngritura përherë në një periudhë pararendëse ndaj asaj të aplikimit. Historia dhe aspekti pararendës i saj, më shumë se memorie dokumentare, është precedent procedural, të cilit palët i referohen kur projektojnë të ardhmen. Në këtë kuadër, nëse e zhveshim kohën nga elementet metafizike të hapësirës, ajo nuk është veçse reflektim kumulativ i historisë në momentin aktual, që mund të zgjatet pafundësisht sa herë që elementet e përzgjedhur orientohen nëpër vektorin e së ardhmes. Dominantja historike në formën e saj prej referuesi precedental shndërrohet kështu në inputin bazë që formon gjykimin kolektiv të shoqërisë, ku edhe aspiratat, pjesë e qenies së individit, përpihen nga graviteti i këtij gjykimi. Ky hon përballë individit, më shumë se tipologjia e tij ekzistenciale, bën që ai të mos ndihet dhe të mos jetë në themel të shoqërisë, në momentin që ai zgjedh të mos i nënshtrohet këtij gjykimi.

Instinkti i ruajtjes së individualitetit, gërshetuar me morfologjitë shoqërore të paorientuara ndaj individit, shkaktojnë atë që një shoqëri ose grupim kolektiv që shpërhapet përtej lidhjes ekzistenciale të individit me subjektet e hapësirës imediate ndaj tij, të mos jetë e kulluar. Kullimi, si proces rrjedhës dhe disendent i hyjnores mbi formën e jetës mbi tokë dhe që e bën këtë të fundit të transendojë kufizimet gravitacionale të dimensionit ku jeta shpaloset, mund të jetë vetëm nëpërmjet individit dhe jo shoqërisë, sepse lidhja e individit është me Zotin, projektues e krijues i tij, sado që inxhinerike mund të tingëllojë kjo, dhe jo me shoqërinë.

Ideja e Zotit për individin janë thelbësore për përmbushjen ekzistenciale të tij, sepse çështja e Zotit është çështja e përbërjes së individit. E thënë ndryshe dhe nga një pikëpamje vibracionale, Zoti është ndërgjegjja energjetike në përbërje të individit, në bazë të së cilës pikëpamja e krijimit nuk është gjë tjetër, veç energjia në gjendjen e saj potenciale në momentin e gjenezës. Përtej hyjnores, krijimi duhet parë si proces, ndoshta inherent i dimensioneve të tjera, që i jep udhë formëzimit të materies universale në një dimension tjetër, botën ku ne jetojmë — kjo mund të mos e shpjegojë gjenezën universale, por të paktën vendos paqe nëpër shpirtrat e trazuar, se nga se mund të jetë krijuar bota jonë.

Nëse përbërja e individit ndryshon nga njëri te tjetri, kjo është për shkak të vullneteve të secilit, që janë individualisht të ndryshëm dhe që e bëjnë procesimin e realitetit për atë që ne e perceptojmë në po aq mënyra individualisht të ndryshme. Në këto kushte, sfida e vërtetë ekzistenciale është shquarja mes realitetit të perceptuar dhe atij të vërtetë, po ashtu si sfida e dijes qëllon të jetë metafizika, si tërësia absolute e qenies, nga e cila ne njohim vetëm rendin e shqisave dhe vëzhgimin në bazë të tyre. Por ky nuk është thelbi i diskutimit. Thelbi është se, ndërsa përbërja e individit ndryshon brenda popullatës, individi dhe Zoti janë një. Kjo nuk çon në larmi zotash, sepse në themel është i njëjti proces krijimi, por ama çon në larmi të pasqyrimit dhe instrumentalizimit të Zotit mbi tokë, dhe bashkësia njerëzore nuk përbën domosdoshmërisht bashkësinë e formave të pasqyrimit e instrumentalizimit, për shkak të zgjedhjes në themel të vullnetit dhe manifestimit të saj. Po të kthehemi sërish te tipologjia ekzistenciale e individit, mund të pohohet se ky ndihet i cenuar nga lloji i vet dhe jashtë tij, për shkak të potencialit të vullnetit që lloji përmbledh, si dhe për shkak të më fatalit ndër proceset, i cili ka të bëjë me përdorimin e këtij potenciali.

Individi ndihet i cenuar, dyshues, i pasigurt dhe mbrojtja e vetme është tkurrja e tij deri në një pikë, ku hapësira dhe ekspozimi i marrëdhënieve është e tillë që i garanton individit mosperceptimin nga individi tjetër. Të paktën unë ndihem i lirë kur individi jashtë meje nuk ka asnjë lloj perceptimi për mua, përveçse të hamendësojë një pafundësi skenarësh lidhur me operimin e qenies sime dhe ku asnjëri gjithsesi nuk i korrespondon asaj çfarë jam realisht, apo mënyrës si qëndroj në raport me jashtësinë. Marrëdhëniet individ-individ brenda llojit zënë fill me aleancën mes tyre për të garantuar sovranitetin vetjak. Shprehja më ekstreme e sovranitetit është nevoja për t‘u përmbushur dhe plotësuar, e cila kalon përmes një procesi përkatësie dhe dominimi të ndërsjellë me bazë pasionin dhe thirrjen e gjakut. Kjo tipologji ekzistenciale i jep individit një liri inherente, që duhet interpretuar si njësim i individit me natyrën e botës. Por kur natyra e botës, hapësinore dhe organike, implantohet tek individi nëpërmjet imponimit të përvojës historike kolektive (sikurse është verifikuar të paktën që pas përmbytjes biblike), e vetmja mënyrë që ky të mbijetojë është sublimimi i lirive inherente natyrore në një harmoni nënshtruese të pranuar dhe diktuar nga shoqëria. Këtu zë fill konflikti i brendshëm i individit, si rezultat i tretjes së gjendjes së tij autoktone dhe shkëputjes nga vetja e Zoti i tij. Spekulimi më ekstrem që mund të bëjmë këtu, por që askush nuk mund ta hedhë poshtë, të paktën në formën e tij si reminishencë absolute, është se hyjnorja është shprehje e gjendjes autoktone të njeriut dhe që na bën, kur ne shohim qiellin, të përftojmë ndjesi përkatësie, çlirimi dhe antigraviteti mendor. Në fakt, ky spekulim nuk është aspak i tillë, nëse vihet përballë atij që i është bërë individit, kur e kanë asociiuar me kombin dhe gjuhën.

Këto dy të fundit nuk mund të jenë kurrë përcaktuese, për të mos thënë që janë irrelevante të proceseve universale e konstante përgjatë rrugëtimit të popujve në dimensionin kohë-hapësirë.

Asnjë shoqëri hierarkike dhe e përparuar, sado e suksesshme të ketë qenë në vendosjen e një rendi të qëndrueshëm shoqëror, në momentin kur e ka realizuar këtë nuk ka qenë në gjendje t‘i garantojë individit pjesëmarrës liritë inherente, pasi prioritetet për rend kanë qenë më mbizotëruese se thirrjet e brendshme dhe metafizika e individit. Ato më të përparuarat, gjithsesi, kanë normuar në mënyrë inteligjente, por jo metafizike, hapësirën ku vullneti lejohet të shpaloset. Madje, kanë lejuar individin të zgjedhë mes lirive të tij dhe aksesit në burimin e të mirave materiale, që gjithsesi shkojnë në kah të kundërt me njëra-tjetrën dhe bashkohen brenda një diapazoni shumë të ngushtë kombinimi ‘liri vs. akses në burime‘. Ky diapazon i jep formë sjelljes së individit në shoqëri dhe e bën atë tërësisht të orientueshëm ndaj pushtetit dhe efekteve të tij mbi atë vetë, duke diktuar madje edhe aspiratat në bazë të modeleve të suksesit, të cilat kanë në themel zotërimin e shpërpjesëtuar të burimeve. Individët e ndërgjegjësuar asnjëherë nuk kanë shkuar në ekstrem të lirive të tyre natyrore; në e paçin bërë kanë kaluar përmes një vetëmohimi që i ka bërë të rrojnë në një rrafsh përfundimisht ideal, të ngjashëm me atë të skeptikëve grekë. Të tjerë që e kanë kuptuar strukturën e realitetit të impostuar nga shoqëria, kanë dalë jashtë kësaj strukture përmes një procesi nihilizmi puritan (heqja dorë nga kontribuimi në shoqëri), ose nëpërmjet imponimit të tyre mbi vetë strukturën nga jashtë, duke e shformuar edhe më tej atë (tjetërsimi i pushtetit nëpërmjet dialektikës shoqërore). Kur në fillim të këtij arsyetimi pohova se shoqëria është e paaftë të jetë e kulluar, pikërisht këtë dialektikë të saj mbajta në konsideratë. Ose, edhe në pastë reminishenca gjenezore të të qenit e kulluar, në tërësinë e saj kurrë nuk mund të ketë atë lidhje të plotë e të drejtpërdrejtë që individi ka me Zotin, përveçse ka kontribuar në mëkatin e shkëputjes së këtyre të dyve nga njëri-tjetri.

Tjetër abuzim ndaj individit është racionalizimi i përmbushjes së tij njerëzore, bazuar në instrumente imponues që quhen ligje. Motivimi i përdorimit të ligjeve pasohet nga bindje të përgjithshme se ligjet janë mekanizma kontrolli, në bazë të të cilave ngrihet dhe operon universi. Por kjo nënkupton një supozim themelor dhe të pashprehur se universi është vetëqëndrues dhe rastësor. Këtu do të më duhet të kundërshtoj, sepse ndërgjegjja jonë e kulluar, e cila buron nga vetë thelbi i universit, na sugjeron se universi është gjendje, me tipare evolutive (por jo transmutacionale, të paktën jo për shkak të evoluimit), e gjenezës së projektuar në kohë dhe hapësirë, e kjo gjendje është një kompleksitet konstantesh përgjatë universit. Kompleksiteti i gjendjeve nuk përcaktohet nga ligjet, por nga struktura e dimensionit nga dhe ku universi projektohet; dhe lidhja (kalimi) mes dimensioneve realizohet pikërisht me anë të konstanteve. E thënë më trashë, graviteti nuk i bindet asnjë ligji përveçse strukturës së hapësirës, subjekt i së cilës ne jemi dhe qenia jonë është konstantja që na bën të jemi saktësisht ne, edhe në rast se transendojmë në një dimension më të lartë.

Nëse Zoti është përbërja jonë, dhe në themel të përbërjes qëndron ndërgjegjja energjetike, atëherë përse në themel të shoqërisë që lidh individët me individët duhet të qëndrojnë ligjet e shoqërisë dhe jo natyraliteti i ndërgjegjes? Më ngjan se alternativa më natyrale në këtë rast është që vetë shoqëria të jetë gjendje e pasqyrimit të Zotit brenda nesh dhe jo ligj imponimi. Nuk duhet lejuar kurrsesi që përdorimi i pakontrolluar i vullnetit të shkaktojë krijimin e shoqërisë hierarkike, ku vullneti gjithsesi nuk kontrollohet, por deprimohet në progresion me rrëshqitjen teposhtë përgjatë strukturës dhe ku tërë pesha e këtij vullneti të deprimuar shkarkohet mbi bazën e vetë strukturës, duke e çekuilibruar së tepërmi ekzistencën e kësaj baze. Në themel të kësaj paradigme qëndron parimi që individi nuk lejohet të zgjedhë. Është e qartë që nëse ai do të mundej, atëherë të gjithë do të synonin asendimin brenda hierarkisë shoqërore, duke rrezikuar shkatërrimin/gërryerjen e themelit të vetë strukturës hierarkike. Nga ana tjetër, kushdo i aftë që e realizon këtë, e bën duke sublimuar potencialin e tij për asendim hyjnor, prej nga i cili individi heq dorë pikërisht për të realizuar atë shoqëror, duke e paguar kështu me shkëputjen e tij nga përbërja e vetvetes që është Zoti.

Nuk po anatemoj paradigmën hierarkike, pasi shumë nga efektet e saj kanë pasur të bëjnë edhe me keqaplikimin. Nga ana tjetër, prevalimi i kësaj paradigme është avantazhuar nga anatemimi që vetë mbështetësit e kësaj i kanë bërë asaj anarkike, duke e interpretuar atë si mungesë rendi dhe duke e shkëputur nga precedenti i dialektikës së krijimit, që pasoi kaosin. Në fakt, nuk e shoh anarkinë si mungesë rendi, por si formë rendi në mungesë të status-quo-së hierarkike dhe format këtu mund të jenë të shumta, por edhe mos qofshin, nuk mund të mendoj se anarkia e tufës së zebrave apo delfinëve mund të ketë shkaktuar shformime brenda llojit, ashtu si hierarkia njerëzore ka shkaktuar brenda njerëzimit. Gjithashtu, nuk mundem të mendoj se elementi imagjinatë, për të cilin pretendojmë që na dallon nga zebrat dhe delfinët, mund të na bëjë të braktisim qëndrimin e lirë të individit në bashkësi dhe ta forcojmë atë nëpër strukturat e hierarkisë, ndërkohë që i vetmi output i imagjinatës është aspirita për utopinë që, për më tepër, nuk ka natyrë tjetër përveçse reminishente. Anarkia, ashtu si unë e kuptoj, është gjendje më e lartë se hierarkia, pasi kërkon ripërsosjen e individit në formën e tij autoktone, në mënyrë që ky të ndërveprojë me individin nëpërmjet lidhjes së përbashkët që është Zoti dhe jo ligji i shoqërisë dhe në këtë mes, Zoti është standard më i lartë se ligji. Dhe kushdo që thotë se ligji është fjala e Zotit, unë i them: Zoti lë të mos flasë me ligje, por të veprojë përmes nesh, sepse jemi e njëjta forcë dhe përbërje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›