INSIG, 10 kompani në garë për 61% të aksioneve
Dhjetë kompani të huaja kanë shprehur interes për privatizimin e 61% të aksioneve shtetërore të kompanisë së sigurimeve INSIG, i cili pritet të përfundojë në muajin nëntor.
Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka bërë të ditur se ekspertët e Ministrisë së Financave kanë vlerësuar ofertat e paraqitura nga dhjetë kompanitë dhe pas kësaj do të kryejnë seleksionimin e kompanive që kualifikohen si investitorë strategjikë për të blerë INSIG-un. Ndërkohë, përfaqësuesit e kompanive të huaja do të ftohen që të kryejnë vetë analizën financiare të INSIG-ut. Për këtë proces, kompanive të huaja do t’u lihet një muaj afat dhe pas kësaj ata duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave çmimin që ata ofrojnë për blerjen e kompanisë. Shehu u shpreh se, shpallja e ofertës më të mirë për privatizimin e kompanisë INSIG do të kryhet brenda muajit nëntor, duke i dhënë fund kështu procesit të privatizimit të kompanisë së parë të sigurimeve në vend. Kompania audituese, po kryen edhe procesin e vlerësimit të aseteve të kompanisë INSIG dhe më pas do të jetë Këshilli i Ministrave, i cili, në bazë të çmimit të dalë nga vlerësimi, do të përcaktojë dhe një nivel minimal dhe maksimal, që do të shërbejë si bazë për hapjen e tenderit për privatizimin e kësaj kompanie. Aktualisht, qeveria shqiptare ka rreth 61% të aksioneve të INSIG-ut, ndërsa dy institucionet ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, kanë përkatësisht nga 19.5% secila. Kompania shtetërore e sigurimeve u themelua në vitin 1991 dhe prej shumë vitesh ka qenë lider në këtë treg, ndërsa tani renditet e treta, me rreth 17% të tregut të sigurimeve.
Sigurimet, më pak dëme
Gjatë 7 muajve të parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve kanë vazhduar që të paguajnë më pak dëme se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Nga ana tjetër, kemi një rritje të primeve të arkëtuara sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në 7-mujorin e parë të vitit 2008 ishte rreth 732 milionë lekë, ose 14.13 % më pak se në Janar-Korrik të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil" ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit me rreth 46.07 % dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 36.19 %, krahasuar me 7- mujorin e parë të vitit 2007. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike, me 602 milionë lekë, apo 84.70 % të totalit të dëmeve të paguara bruto. Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme dhe “Kasko”, dhe e ndjeshme paraqitet ulja e dëmit mesatar “Karton Jeshil”, paraqitur në tabelën e mëposhtme: Por rënia e dëmeve në total të paguara gjatë 7 muajve të parë të këtij viti është në një trend të kundërt me kontratat e sigurimit dhe primet e arkëtuara nga ky aktivitet.