E Diel, 1 Nëntor 2026

Grushta policisë, pranga katër tifozëve

Në orën 02:50 të mëngjesit të ditës së sotme u bë arrestimi në flagrancë i katër shtetasve, banorë të Përmetit. Në pranga u vunë Juljan Vaka, Vladimir Shpata, Arnold Telhaj e Jorgji Çoni. Katër të rinjtë të moshës 23-27 akuzohen se kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë.

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Gjirokastrës, të dielën pas përfundimit të ndeshjes së futbollit mes ekipit të Përmetit dhe atij të Tepelenës, katër të rinjtë goditën me grushta dy tifozë nga Tepelena.

Në këto kushte forcat e policisë kanë ndërhyrë për t’i shoqëruar për në komisariat, por duket se të rinjtë kanë vazhduar ‘grushtimin’ edhe me uniformat blu. Ky fakt ka bërë që ndalimi i tyre të realizohet nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Katër shtetasit janë shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë së Përmetit rreth orës 18:10, vend në të cilin duket se situata është normalizuar dhe është vendosur arrestimi it ë rinjve nën akuzat e “kundërshtimit të punonjësit të policisë” dhe të “goditjes për shkak  të detyrës”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›