Themeli i shpirtit është kujtesa
Nasho Jorgaqi është i njohur për lexuesin si studiues dhe shkrimtar, si një nga personalitetet tashmë të afirmuara të kulturës shqiptare. Ai është i njohur me veprën e tij letrare, por ndoshta edhe më i njohur me veprën e tij studimore, si autor i një vargu librash me studime për historinë e letërsisë shqipe dhe për disa nga përfaqësuesit e saj më të shquar. Fjala e tij ka qenë e pranishme në mesin tonë prej më se një gjysmë shekulli. Pas botimit dy vjet më parë të veprës së jetës së tij, biografisë së gjeniut të kulturës shqiptare të shekullit XX, F. S. Nolit, që shënon një nga kulmet e veprave biografike në historiografinë tonë, N. Jorgaqi paraqitet sot para lexuesit me një përmbledhje studimesh letrare të përzgjedhura prej krijimtarisë së tij në këtë lami.
Studimet e N. Jorgaqit rrokin thuajse gjithë hapësirën gjeografike dhe shpirtërore të botës shqiptare duke u përqendruar kryesisht në proceset e zhvillimit kulturor dhe letrar të shqiptarëve gjatë shek. XIX-XX e veçanërisht midis dy luftërave botërore. Atë e ka interesuar tradita letrare e popullit të tij, jo si një relikt, por si një faktor i zhvillimit i bindur se harresa dhe humbja e traditës është barazi me humbjen e përmasës së thellësisë historike të ekzistencës së kombit dhe të identitetit të tij. Në kushtet e zhvillimeve botërore globale, që rrezikojnë shuarjen e identiteteve kombëtare dhe fshirjen e kujtesës së popujve, mbeten aktuale fjalët e Augustinit, më të madhit filozof që kanë pasur romakët, se “themeli i shpirtit është kujtesa”. Kujtesa historike e shqiptarëve, e ngulitur në traditën e tyre kulturore e letrare dhe në veprën e personaliteteve të shquara të kombit, përbën pa dyshim thelbin e shpirtit dhe të identitetit të tyre. Studimet e N. Jorgaqit për traditat dhe personalitetet letrare janë pjesë e përpjekjes së inteligjencies shqiptare për ta mbrojtur shoqërinë e sotme shqiptare dhe sidomos brezin e ri nga erozioni i kujtesës dhe nga përçmimi i traditës, madje dhe i ndjenjës së patriotizmit, si diçka e tejkaluar dhe anakronike, duke harruar se nuk është e kaluara që e tërheq shoqërinë prapa, por është e ardhmja që e shtyn atë të shohë prapa, për të projektuar zhvillimin e vet të pandërprerë.
Në një nga aforizmat e përmbledhjes së tij me titull “Sythe mendimesh”, N. Jorgaqi thotë se “për historianin nuk mjafton vetëm kureshtja për të kaluarën, por dhe dashuria”. Në rastin e N. Jorgaqit si historian i kulturës shqiptare duhet thënë se është pikërisht dashuria ajo që nxit dhe kureshtjen e tij për të kaluarën dhe për fjalën shqipe. Me këtë dashuri janë shkruar studimet e tij për traditën historike e kulturore të shqiptarëve, për veprën e disa prej personaliteteve më të shquara jo vetëm të kulturës, por dhe të historisë shqiptare, për vlerat që kanë krijuar paraardhësit dhe bashkëkohësit.
Në krye të përmbledhjes së N. Jorgaqit qëndrojnë dy studime për fillimet letrare të Naim Frashërit, emri dhe vepra e të cilit mbeten në ballë të Rilindjes Kombëtare. F. S. Noli, Faik Konica dhe Lumo Skëndo, Mitrush Kuteli dhe Foqion Postoli e Haki Stërmilli, janë disa nga personalitetet që kanë tërhequr prej kohe vëmendjen e studiuesit; atyre ai u kushton punime të veçanta që hedhin dritë në rolin e veprës së tyre për zhvillimin e letrave shqipe dhe për emancipimin kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Një punim të veçantë ai i kushton prozës së Adem Demaçit; me të dhëna të reja vijnë edhe punimet për poetët arbëreshë Gavril Dara (i riu) dhe Vorea Ujko e Zef Skiro di Maxhio, dëshmi e interesit të gjallë dhe të vazhdueshëm që ka treguar N. Jorgaqi për botën arbëreshe dhe kulturën e saj. Krahas këtyre shkrimeve me frymë analitike, përmbledhjen që i vihet sot në dorë lexuesit, e pasurojnë dhe disa studime përgjithësuese, midis të cilave spikat një sprovë për gjenezën e romanit shqiptar dhe një tjetër për historinë e mendimit estetik shqiptar, fusha ku N. Jorgaqi sjell një ndihmesë vetjake për t’u shënuar. Krijues ose interesa të gjera, N. Jorgaqi vjen në këtë libër dhe me dy studime për dy prej shkrimtarëve të tij të dashur botërorë, me një punim për Çehovin dramaturg dhe me një ese për N. Kazanxaqin.
Libri i N. Jorgaqit lexohet me përfitim për informacionin e pasur dhe analizat e përgjithësimet me të cilat ai pasuron mendimin shkencor historiko-letrar, por ky libër lexohet dhe me endje falë stilit të tij që bashkon objektivitetin e studiuesit me shprehjen e gjetur të shkrimtarit q ë e kërkon dhe e ndien bukurinë dhe magjinë e fjalës.