Qeveria rrit taksat për banesat
Mbi bazën e çmimeve të reja do të paguhet TVSH dhe Tatim-Fitimi nga ana e biznesit për vitin 2008
Rritja e kostos mesatare në ndërtim si edhe e çmimit minimal fiskal që mund të deklarojnë ndërtuesit për banesat e shitura prej tyre, do të pasqyrohet sërish në rritje të çmimit të banesave. Çmimet e banesave vazhdojnë që të rriten në të gjithë vendin, ndërsa bumi më i madh në rritjen e çmimeve është i përqendruar në kryeqytet.
Kostoja mesatare e ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë vendi, për vitin 2008, të jetë 33 464 lekë/m2. Përsa i përket ligjit, kjo njihet si sipërfaqe shfrytëzimi. Në bazë të kësaj sipërfaqeje paguhet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për çdo metër/katror nga ana e ndërtuesve.
Me anë të një vendimi të miratuar së fundmi, qeveria ka rritur të gjitha çmimet që do merren si referencë për sektorin e ndërtimit. Në bazë të këtyre çmimeve do paguhet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe njëkohësit edhe Tatimi mbi Fitimin. Çmimet e reja të qeverisë për sektorin e ndërtimit janë më të lartat që janë nxjerrë ndonjëherë dhe në këto çmime, rekordin e mban qyteti i Tiranës. Rritja e kostos mesatare në ndërtim si edhe e çmimit minimal fiskal që mund të deklarojnë ndërtuesit për banesat e shitura prej tyre do të pasqyrohet sërish në rritje të çmimit të banesave. Çmimet e banesave vazhdojnë që të rriten në të gjithë vendin, ndërsa bumi më i madh në rritjen e çmimeve është i përqendruar në kryeqytet. Nga ana e agjencive imobiliare dhe Bankës së Shqipërisë bëhet e ditur se ritmi i rritjes së çmimeve gjatë 2 viteve të fundit në Tiranë është ulur, por edhe këto të dhëna janë të lokalizuara sipas zonave të ndryshme. Rënia në ritmet e rritjes së çmimeve është e përqendruar kryesisht në periferi të kryeqytetit, zona në të cilat mungojnë edhe pjesa më e madhe e shërbimeve që mund të ofrohen për banesat e reja, siç është uji, energjia elektrike dhe kanalizimet e ujërave të zeza. Ndërsa në zona të tjera që janë brenda Unazës apo dhe në qendër, rritja e çmimeve vazhdon që të jetë me ritme të shpejta, për shkak të kërkesës së lartë.
Kostoja mesatare
Kostoja mesatare e ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë vendi për vitin 2008, të jetë 33 464 lekë/m2. Për sa i përket ligjit, kjo njihet si sipërfaqe shfrytëzimi. Në bazë të kësaj sipërfaqeje paguhet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për çdo metër/katror nga ana e ndërtuesve. Në bazë të vendimit të nxjerrë nga ana e qeverisë, për qytetet për të cilat nuk është nxjerrë kostoja mesatare e ndërtimit, do të zbatohet kostoja e qytetit më të afërt, e përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. Në këtë vlerë të kostos mesatare nuk janë përfshirë vlerat e rrjetit inxhinierik, projektit, studimit gjeologjik dhe sizmik, lejes së ndërtimit, truallit dhe shpenzimeve operacionale të EKB-së 4%. Berati, Durrësi, Korça, Fieri dhe Gjirokastra do të kenë, sipas vendimit të qeverisë, të njëjtën vlerë si Tirana. Pra, kostoja mesatare e ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave në këto qytete do të jetë në vlerën 33 mijë lekë për metër/katror. Në qytete si Shkodra, Saranda, Kuçova kostoja e ndërtimit të banesave do të jetë afërsisht rreth 32 mijë lekë për metër/katror. Kostoja mesatare e ndërtimit ka shkuar afërsisht 33 mijë lekë të reja për një metër/katror. Ky është një lajm i keq për të pastrehët pasi kostoja e ndërtimit po vjen duke u rritur dhe qeveria nuk mund të përballojë të ardhurat për apartamentet sociale. Kostoja mesatare e ndërtimit te banesave është përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave në shkallë republike për sipërfaqe shfrytëzimi, si dhe për sipërfaqe ndërtimi. Vendimi do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Çmimet në tregun e lirë
Sipas vendimit të fundit të qeverisë, çmimi më i lirë që mund të shitet një apartament në Tiranë është 62 mijë lekë. bazuar në tabelën e të dhënave për çmimet, gjatë vitit 2008, ky është çmimi minimal që mund të deklarojë një ndërtues në të dhënat e tij vjetore të fitimeve. Por edhe çmimet në kryeqytet janë të përcaktuara sipas zonave. Në zonat në periferi ky çmim është 62 500 lekë, ndërsa për sa i përket çmimeve maksimale referuar tabelës, ato shkojnë në 160 mijë lekë për metër/katror. Në listën e qyteteve të tjera, për sa i përket çmimit mesatar të shitjes së banesave, në vend të dytë vjen qyteti i Durrësit me një çm prej 70 856 lekë. Pas tij renditen në radhë Himara, me një çmim mesatar të shitjes së apartamenteve prej 50 mijë lekë për metër/katror, etj.