E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi, Dule: Qeveria po ushqen qarqe nacionaliste

Kryetari i PBDNJ-së tha se është detyrim i standardeve europiane, regjistrimi i popullsisë mbi baza etnie dhe feje, duke ruajtur konfidencialitetin

TIRANË Paralelisht me diskutimin në Kuvend të projektligjit për regjistrimin e popullsisë, Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili nuk ishte dje në Kuvend, doli në një konferencë për shtyp për të kundërshtuar debatin e krijuar për regjistrimin e popullsisë, mbi baza etnike dhe fetare. Në deklarimin për mediat, të mbajtur dje në mesditë, Dule akuzoi qeverinë për mungesë transparence të projektit, zvarritje të tij, por edhe për ushqimin, siç tha ai, të partive apo qarqeve nacionaliste në vend. “Praktikat dhe politikat e qeverisë nga njëra anë karakterizohen nga mungesa të theksuara transparence. Nga ana tjetër, qeveria me qëndrimet e saj ushqen sistematikisht politikat e disa forcave politike dhe organizatave të tjera, politika këto dhe qëndrime tejet obskurantiste, të cilat kultivojnë intolerancën, shpeshherë në ekstrem, një pseudonacionalizëm që asgjë nuk ka me patriotizmin e vërtetë dhe qëndrimet që shpeshherë kanë cekur edhe hapësirat e kultivimit të urrejtjes etnike dhe fetare në vendin tonë, elementë që i denoncojmë me shumë forcë”, - tha dje Dule. Ai shtoi se, është detyrim i standardeve europiane, regjistrimi i popullsisë mbi baza etnie dhe feje, duke ruajtur konfidencialitetin. Dule justifikoi edhe mungesën e tij në Kuvend për këtë çështje. Kryetari i PBDNJ-së shtoi se këto qëndrime nuk i bëri publike në parlament, pasi nuk beson tek ky institucion, në një kohë që nuk mohoi se në sesionin e ri parlamentar deputetët e minoritetit grek mund të kenë në parlament grupin e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›