Bolt: “Nuk jam Xhonson, jam Usain”
Usain Bolt refuzoi të pranonte çdo krahasim direkt midis thyerjes së rekordit të tij dhe atij të arritur nga amerikani legjendar Majkëll Xhonson. Bolt theu rekordin botëror 12-vjeçar në 200 metra të mërkurën duke arritur kohën e re 19.30 sekonda, vetëm pesë ditë pasi ai kishte thyer rekordin botëror në 100 metra. Tashmë objektivi i ri i “birit të erës” është garimi në 400 metra në Lojërat Olimpike “Londër 2012” dhe vendosja e një rekordi të ri edhe në këtë garë. Bitaniku Kristian Malkolm e përshkroi si më shokues rekordet e xhamajkanit, pasi Xhonson nga ana e tij vendosi rekordet në 200m dhe 400m në Lojërat Olimpike të Atlantës në vitin 1996. “Shumë njerëz më krahasojnë mua me Majkëll Xhonsonin. Unë përpiqem të jem unë, të jem vetëm vetja ime”, - tha Bolt, i cili dje mbushi 22 vjeç. “Majkëll Xhonson e revolucionarizoi sportin. Unë vetëm sa e ndryshova pak atë”.
Xhonson e përshkroi Boltin si “Supermenin II”, dhe ai beson se xhamajkani 1.93 m i lartë dhe me një hapk gjigant, mund të jetë një “vrapues i klasit botëror në 400 metra”. Xhonson e këshilloi Boltin që të vendoste objektiva të rinj pasi ai rishkruajti librat e historisë gjatë kësaj jave, dhe se ai mund të ribëjë atë sërish. Bolt, nga ana e tij pohoi pas fitores në 200 metra, se sezonin e ardhshëm në Kampionatin Botëror do të garonte në 400 metra. Edhe trajneri i xhamajkanit Stefën Frensis pohoi se Bolt mund të bënte të njëjtën gjë që realizoi edhe në 100m e 200m. Kjo do ta revolucionarizonte shumë sportin. Bolt pohoi se do të merrte një vendim pal më vonë, pasi ai dëshironte t’u shtonte dy medaljeve të tij të arta olimpike edhe ato të Kampionateve Botërore. “Shumë njerëz shpresojnë se unë mund ti realizoj edhe 400 metrat, por jo me një frymë. Unë nuk do të garoj shumë shpejt në 400 metra. Tashmë unë jam një medalist i artë i dyfishtë dhe dua ta shijoj këtë. Qëllimi im i afërt është të përfundoj sezonin pa dëmtime dhe të shoh se çfarë do të arrij në kampionatet boterore. Vetëm pas tyre ndoshta unë do të shikoj të bëj diçka tjetër, por për këtë nuk jam i sigurt. Gjithçka është e mundur nëse unë do ta vendos në mëndje atë, siç bëra edhe këtë sezon”. Bolt do të marrë pjesë edhe në stafetën 4x100m duke synuar të fitojë një medalje të tretë olimpike. Xhamajka është favoritja kryesore pasi në ekipi ka dy njerëzit më të shpejtë në botë, Bolt dhe ish-rekordmenin e 100 metrave Asafa Pauell.
Dy rekordet e Bolt
100 metra: nga 9”72 në 9”69
200 metra: nga 19”32 në 19”30
Nëntë “double” fituesit
“Njeriu më i shpejtë në planet, xhamajkani Usain Bolt, i cili mbushi dje 22-vjeç, është atleti i nëntë në historinë e Lojërave Olimpike që fiton dy garat e shpejtësisë 100 m dhe 200 m. Bolt vendosi dy rekorde të reja botërore në këto gara: 9”69 në 100 metra dhe 19”30 në 200 metra. Agjencia Franceze e Lajmeve, AFP, publikoi edhe listën e nëntë rasteve kur atletët kanë aritur të fitojnë të dy garat, ku mbizotërojnë gjashtë amerikanë. I pari që ka fituar dy garat është Arçi Han në Lojërat Olimpike “Saint Luis 1904”. Midis emrave është edhe kanadezi Ralf Kraig (1928) si dhe rusi Borzov (1972).
1904 Arçi Han (SHBA), Saint-Louis
1912 Ralf Kraig (SHBA), Stokholm
1928 Persi Uiliams (Kanada), Amsterdam
1932 Edie Tolan (SHBA), Los Anxheles
1936 Xhes Ouens (SHBA), Berlin
1956 Bobi Morou (SHBA), Melburn
1972 Valeri Borzov (BRSS), Munih
1984 Karl Luis (SHBA), Los Anxheles
2008 Usain Bolt (Xhamajkë), Pekin
22 Gusht 2008