E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Beqja gaboi, mos na përzieni me politikë

Instituti i Statistikave deklaroi dje se kritikat e Partisë Socialiste në lidhje me llogaritjen e Indeksit të Çmimeve të Konsumit janë të pavend dhe të gabuara, si dhe ftoi deputetin Ilir Beqja të informohet pranë specialistëve të saj.

"Gënjeshtra është bërë tipar dallues për këtë qeveri. Instituti i Statistikave, i kthyer në një vegël në shërbim të qeverisë, fsheh qëllimisht të vërtetën për shtrenjtimin e shërbimeve spitalore", deklaroi deputeti Beqja pak ditë më parë. Sipas tij, Indeksi i Çmimeve të Konsumit nuk pasqyroi rritjen reale të kostos së jetesës për shqiptarët, për shkak të ndikimeve politike.

"Në nëntor 2009, ashtu siç është bërë e njohur botërisht, tarifat e shërbimeve spitalore janë 4-fishuar për 800 mijë shqiptarë në moshë pune të pasiguruar. Këtë të vërtetë të hidhur INSTAT ua fsheh qëllimisht shqiptarëve dhe nuk e llogarit për të nxjerrë një inflacion sa më të ulët", deklaroi Beqja.

"Metodologjikisht për të llogaritur efektin e ndryshimit të çmimeve të tarifave për shërbimet spitalore për pacientët e pasiguruar, INSTAT duhet të disponojë një informacion shtesë për peshën që zënë pacientët e pasiguruar që kanë përfituar shërbimin spitalor, ndaj personave gjithsej. Numri i personave të pasiguruar, të cilat kanë përfituar shërbimet spitalore duhet të matet të paktën për një periudhë njëvjeçare për të kuptuar se çfarë peshe zënë këta persona ndaj totalit. Në këtë mënyrë mund të llogarisim saktë ndikimin e tarifave të shërbimeve spitalore ndaj totalit. Kjo është edhe arsyeja që për muajin nëntor është aktualisht e pamundur të matet kjo influencë", iu përgjigj dje INSTAT.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit për muajin nëntor shënoi rritje prej 2.8 për qind në nivel vjetor. Shumë ekspertë vërejnë mospërputhje të realitetit të perceptuar me indeksin e çmimeve të konsumit dhe dyshojnë se INSTAT mund të gjendet nën presion politik, por asnjë provë konkrete në këtë drejtim nuk ekziston. Vitin e kaluar, një studim i kryer nga Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë, doli në konkluzionin se ecuria e çmimeve të konsumit të raportuara në Shqipëri që nga viti 1994, nuk përputhet me asnjë ligjësi ekonomike dhe rrjedhimisht raportoi se mund të kemi pasur matje të gabuara të këtij treguesi prej të gjitha kohërave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›