Sot, dita e 48 e grevës së urisë
Edhe pse sot numërohen 48 ditë që nga nisja e grevës së urisë, ish të përndjekurit politikë nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje konkrete për kërkesat e tyre. Ka kaluar më shumë se një muaj, e megjithatë instancat qeveritare nuk kanë marrë asnjë masë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Për 18 vjet me radhë, ish të burgosurit politikë as rehabilitohen dhe as dëmshpërblehen. Ata kanë konstatuar shkelje mbi dinjitetin dhe të drejtat që mbrohen nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, sot grevistët janë më të vendosur se kurrë për t‘i bërë ballë "fatit" të tyre. Greva, drejtuar qeverisë, sipas tyre, do të vazhdojë deri në zgjidhjen përfundimtare të të gjitha kërkesave që paraqesin ata. Gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet. Lagështia në të cilën flenë, mosushqimi si dhe mosmarrja e medikamenteve për të kuruar sëmundjet nga të cilat vuajnë prej disa vitesh, e ka vështirësuar edhe më shumë shëndetin e grevistëve. Mosha e tyre është mbi të 50-at, për këtë arsye greva është një faktor që po e vështirëson edhe më shumë shëndetin e tyre. Edhe pse janë në rrezik për jetën, ish të përndjekurit politikë janë të bindur për të kërkuar të drejtat e tyre, që kanë 18 vjet me radhë që i përtypin në heshtje. "Nuk duam zgjidhje të problemeve me forcë. Duam vetëm që përfaqësuesit përkatës të Kryeministrisë të vijnë dhe t‘i dëgjojnë kërkesat tona, por ata as këtë mundësi nuk na e japin", tha Gjergj Ndreca, grevist. Sipas tij, ligji i vitit 2007, për ish të burgosurit politikë është i padrejtë, pasi ata janë dënuar për shkak të sistemit të asaj kohe, jo për kryerjen e ndonjë krimi. Për këtë arsye ata mendojnë se shteti është i detyruar t‘i dëmshpërblejë për vitet e vuajtjes së dënimit, në pamundësi për të kthyer mbrapa vuajtjet e tyre psikologjike. Ata duan që të rivihet në funksion ligji nr.7748, datë 29.07.1993, i cili i jep ish të burgosurve të drejtën e statusit politik, që siguron dëmshpërblimin dhe rehabilitimin e tyre. Aktualisht në Shqipëri nuk ka trajtim special për njerëzit që kanë qenë në burgjet e diktaturës. Shumë nga fëmijët e ish të përndjekurve politikë janë rritur në kushte të rënda dhe pa mundësinë e një shkollimi të duhur. Ende ka shumë handikapë që janë bërë të tillë si rezultat i kushteve të këqija dhe keqtrajtimit sistematik në burgje apo vendet e internimit. E megjithatë qeveria aktuale, siç shprehen vetë grevistët, nuk ka marrë asnjëherë masa për kurimin falas të tyre. Edhe pse po bëhen gati dy muaj që nga nisja e grevës së urisë nga ish të përndjekurit politikë, shteti shqiptar nuk prononcohet rreth kësaj çështjeje. "Na morën shumë vite jetë, por me indiferencën e vazhdueshme që po tregojnë do të na marrin edhe këtë pak frymë që po na mban gjallë këto ditë, por që nuk e dimë edhe për sa kohë do zgjasë…", shprehet Gjergji.