E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, me humbje pavarësisht rritjes së çmimeve

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes pritet të dalë me humbje në vitin 2010, pavarësisht rritjes së çmimeve me 23 për qind, deklaroi dje në një konferencë për shtyp drejtori i OSSH, Hosef Hesjek. Sipas tij, asgjë nuk mund ta ndalë rritjen e çmimeve për shkak se qeveria shqiptare ka një angazhim të shkruar për këtë punë dhe çmimet e energjisë për konsumatorët pritet të vijojnë të rriten deri në vitin 2014, por jo me të njëjtin rritëm, sipas "Hesjek". Enti Rregullator i Energjisë pritet të marrë vendimin sot për çmimet e energjisë për vitin 2010. Shqiptarët pritet të përballen me rritjen më të fortë të çmimeve të parë në vitet e fundit, për shkakun e thjeshtë se çmimet kanë mbetur konstante që nga viti 2008, ndërkohë që kostoja e sigurimit të dritave është rritur.

"Aplikuam për rritje të çmimeve mesatarisht me 23 për qind dhe pse në marrëveshjen me qeverinë kemi përcaktuar një rritje prej 15 për qind plus normën e inflacionit. Por ne mendojmë që vitin tjetër do të bëjmë kërkesë për rritje më të vogël të çmimeve, dhe rritja e çmimeve do të vijë vit pas viti duke u ulur. Nëse ne kemi rritje të çmimeve me 23 për qind në 2010 parashikojmë të kemi afërsisht 1.7 miliardë lekë humbje dhe do të na duhet të marrim rreth 1.1 miliardë lekë të tjera borxhe, për të mbyllur humbjen e të ardhurave. Në 2009-2010 do të kemi 9.1 miliardë lekë mosarkëtim negativ. Enti Rregullator është i detyruar që të zbatojë këtë marrëveshje me qeverinë. Unë mendoj që nuk ka arsye pse të devijohet nga marrëveshja, edhe pse ka një pikë ku ne devijojmë disi, që ka të bëjë me nivelin e humbjeve në rrjet", deklaroi Hesjek.

Drejtori i Bordit të OSSH-së ka treguar dhe bilancet financiare të kompanisë. Sipas tij janë disa miliardë lekë detyrime që OSSH duhet të japë, por pak a shumë në të njëjtën shumë janë dhe detyrimet e të tretëve. Rezultatet e fundit të auditit për vitin 2007-2008 tregojnë se humbjet në buxhetin tonë janë me 11 miliardë lekë. Vetëm për 2008 ishin 9.1 miliardë. OSSH është me moshë 2 vjet, 2 vjet e gjysmë dhe vetëm në këtë periudhë kishte rreth 20 miliardë lekë humbje, të cilat duhet të paguhen me patjetër.

Humbjet dhe ndërprerjet

Një pjesë e madhe e energjisë së hedhur në rrjet vidhet drejtpërsëdrejti, ndërsa një pjesë tjetër, faturohet por nuk paguhet. Sipas OSSH, shqiptarët i detyrohen kësaj kompanie rreth 24 miliardë lekë në fatura të papaguara. Në një situatë të tillë OSSH paralajmëron se do të nisë një fushatë masive të ndërprerjes së furnizimit për debitorët, të cilët janë familjarë, biznese apo institucione publike, buxhetore apo jobuxhetore.

"Javën e ardhshme do ketë shkëputje paralajmëruese, deri në janar, më pas energjia do të mungojë derisa të kryhen pagesat", thonë drejtuesit e OSSH-së. Familjarët, që në total janë mbi 1 milion abonentë kanë detyrime të prapambetura prej 17 miliardë lekësh. Sektori i biznesit privat i detyrohet OSSH-së rreth 3.5 miliardë lekë të tjera. Institucionet buxhetore i detyrohen 870 milionë lekë, ndërsa kompanitë nën pronësi publike jobuxhetore i detyrohen 2.2 miliardë lekë të tjera. Fatura të papaguara kanë ministritë, bashkitë, komunat, ujësjellësit, hidrovoret, spitalet, shkollat, rajonet e policive etj.

Sipas një studimi të vitit 2001, një kilovat/orë energji elektrike e hedhur në rrjet në Shqipëri ka një kosto prej afërsisht 13 lekësh, shifër kjo ende 40 për qind më e lartë sesa çmimi real që paguhet sot. Rritja e çmimeve të energjisë deri në barazimin me kostot ka qenë një politikë e themeluar në një dekadë më parë, por qeveritë e ndryshme ngurruan t‘i rrisin çmimet sa herë që përballeshim me vite zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›