E Diel, 1 Nëntor 2026

"Piloti" sekuestron 150 kg marijuanë nga Lazarati

Kapet 150 kg marijuanë që vinte nga Lazarati dhe kishte për destinacion fillestar Sarandën dhe më tej trafikimin me det për Greqi. Operacioni i Policisë së Gjirokastrës, i koduar "Piloti", i zhvilluar në segmentin rrugor Lazarat-Derviçan është finalizuar me bllokimin e sasisë së drogës, ndërkohë që korrieri, personi që e transportonte me një "Benz" të vjedhur një ditë më parë në Sarandë, i ka shpëtuar arrestimit. Burime të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Qarkut bënë të ditur dje, se rreth orës 20.40 të së dielës, automjeti është konstatuar poshtë fshatit Lazarat në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë. Shërbimet e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar janë vënë në ndjekje të këtij automjeti deri në kthesën e fshatit Derviçan të Komunës Dropulli i Poshtëm Gjirokastër, ku drejtuesi i automjetit, si pasojë e shpejtësisë së madhe dhe trafikut, ka dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën mbrojtëse të autostradës. Më pas ai ka braktisur mjetin dhe është larguar me shpejtësi, duke përfituar nga errësira. Grupi hetimor që ka mbërritur në vendngjarje, pas këqyrjes së automjetit të tipit "Benz", me targa TP 1221 B, ka mundur të konstatojë në sediljen e pasagjerit dhe në sediljen e pasme 55 pako me peshë 1 kg secila dhe një çantë të madhe shpine e mbushur me marijuanë hedhur rifuxho, e cila peshonte 26 kg. Kontrolli ka vijuar edhe në bagazhin e automjetit, ku janë konstatuar 45 pako me peshë 1 kg secila, si dhe një çantë shpine e madhe e mbushur me marijuanë të papaketuar me peshë 24 kg. Pesha e përgjithshme rezultoi se ishte 150 kg lëndë narkotike e tipit marijuanë. Nga verifikimet e mëtejshme të bëra për të identifikuar pronarin e automjetit rezultoi se këtë automjet e ka shpallur në kërkim si të vjedhur Komisariati i Policisë Sarandë një ditë më parë. Ndërkaq, zëdhënësi i policisë ka nënvizuar se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga specialistët e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar është arritur të identifikohet dhe shpallur në kërkim personi që drejtonte këtë automjet gjatë transportit të lëndës narkotike dhe po punohet për kapjen e tij. Policia ka kryer të gjitha veprimet e para hetimore dhe procedurale dhe pasi u bë sekuestrimi i lëndës narkotike, si dhe i automjetit në cilësinë e provës materiale, u bë shpallja në kërkim e drejtuesit të automjetit, ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije gjeneralitetet e tij.

En. Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›