E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Ekonomia shqiptare u rrit me 3,3 për qind gjatë vitit 2009

Instituti i Statistikave konfirmon ritmin pozitiv të rritjes ekonomike të vendit gjatë vitit të kaluar, kohë kur ekonomitë rajonale dhe më gjerë u gjunjëzuan si pasojë e krizës. Sipas publikimit më të fundit të INSTAT-it ekonomia shqiptare u rrit me 3,3 përqind gjatë vitit 2009. Ndonëse ritmi i rritjes është ngadalësuar gjatë fundit të 2009, krahasuar me muajt e parë të vitit apo dhe më 2008, ekonomia shqiptare vijoi të regjistrojë shifra pozitive të prodhimit të brendshëm bruto.”Ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2009 u ul me 0.8 përqind krahasuar me tremujorin e katërt 2008. Viti 2009 mbështetur mbi informacionet tremujore shënoi një rritje prej 3.3 përqind krahasuar me vitin 2008. Ndërsa krahasuar me Tremujorin e tretë vitit 2009 ka pësuar një rënie me 2.4 përqind”, deklaroi Ledion Shahini, përgjegjës i llogarive kombëtare në INSTAT. Gjatë 3-mujorit të fundit të 2009 sipas INSTAT-it rritja më e madhe i takon sektorit të postë- komunikacionit me 8.3 përqind përkundrejt tremujorit të katërt të 2008. Rritje gjatë kësaj periudhe ka njohur edhe sektori i Tregtisë me 7.2 përqind, transporti me 3 përqind dhe bujqësia me 1,7 për qind. Ndërkohë që ndërtimi dhe industria kanë regjistruar rënie me respektivisht 14.4 dhe 4.1 përqind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›