INSTAT: Gjatë tetë muajve eksportet e mallrave arrijnë në vlerën e 64.365 miliardë letë

Në muajin gusht të vitit 2009 nga vendi ynë u eksportuan drejt tregjeve të huaja mallra të ndryshme me një vlerë prej 7,145 miliardë lekë, me një ulje prej 26,1 për qind në krahasim me korrikun e 2009 dhe ulje me 7,7 për qind në krahasim me muajin gusht të 2008. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT), partnerët kryesorë tregtarë në këtë drejtim vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Kështu, me Italinë eksporti ishte 48,2 për qind e totalit, ndërsa me Greqinë eksporti ishte 5,9 për qind e totalit. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti është rritur gjatë kësaj periudhe, janë: Bullgaria, Kroacia, SHBA, Spanja, Turqia etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grupmallrat tregon se eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 58,7 për qind, “Ushqime, pije, duhan” u rrit 10,4 për qind, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 1,5 për qind. Ndërsa eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 63,8 për qind, etj. Sipas INSTAT, gjatë 8 muajve të vitit 2009 (janar-gusht) vlera e eksportit të mallrave të ndryshme nga vendi ynë drejt tregut të jashtëm ishte 64,365 miliardë lekë, duke patur ulje në krahasim me një vit më parë, kur kjo shifër ishte 76,190 miliardë lekë. Peshën më të madhe të mallrave të eksportuara e zunë ato të grupit "Tekstile e këpucë" me një vlerë prej 31,577 miliardë lekë (nga 32,717 miliardë lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar). Më pas vijnë mallrat e grupit "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" me 11,981 miliardë lekë (nga 14,376 miliardë lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar), "Materiale ndërtimi dhe metale" me 7,691 miliardë lekë etj. Gjate periudhës 8-mujore të këtij viti Italia mbajti vendin e parë për eksportin e mallrave shqiptare me 40,215 miliardë lekë, e ndjekur nga Greqia me 5,343 miliarde lekë, Gjermania me 2,334 miliardë lekë etj.
Vlera e mallrave të eksportuara gjatë 8 muajve të vitit 2009 është:
Janar: 6,642 miliardë lekë
Shkurt: 7,509 "
Mars: 7,956 "
Prill: 7,792 "
Maj: 8,238 "
Qershor: 9,415 "
Korrik: 9,668 "
Gusht: 7,145 "
...